Lajme

Konjufca merr mbështetjen e delegacionit zviceran për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës


Konjufca në takim me delegacionin e Partisë Socialdemokrate nga Zvicra

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, këtë të premte ka pritur në takim një delegacion të Partisë Socialdemokrate nga Zvicra, me ç’rast kanë diskutuar për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në rrafshin politik dhe ekonomik.

“Kosova e konsideron Zvicrën vend mik dhe partner të rëndësishëm në proceset e shtetndërtimit, zhvillimit dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin zyrtarë për media.

Konjufca gjatë takimit ka përmendur edhe Grupin e Miqësisë në kuadër të Kuvendit, rolin e mërgatës dhe kontributin e socialdemokratëve zviceran në forcimin e raporteve mes dyja vendeve.

Në anën tjetër socialdemokratët dhe deputetët zviceranë, pjesëmarrës në takim, kanë ofruar mbështetjen e shtetit të tyre për anëtarësimin e Kosovës në EFTA dhe në Këshillin e Evropës.

Në takim u shkëmbyen pikëpamje edhe rreth agresionit rus në Ukrainë dhe u çmua rreshtimi i Kosovës përkrah demokracive evropiane e botërore në dënimin dhe sanksionimin e Rusisë.​

Delegacioni i Partisë Socialdemokrate nga Zvicra përbëhej nga deputetët nacionalë, Fabian Molina dhe Mustafa Atici, deputeti komunal Reis Luzhnica, anëtari i Kryesisë së SP-së Arbër Bullakaj, sindikalistët Osman Osmani dhe Florim Kadriu, sekretarja e grupit të SP-së për çështje të emigracionit, Lara Can, si dhe Urim Deva, delegat i këtij grupi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore