Lajme

Konjufca i befasuar me lirimin e tërësishëm nga akuza për gazin lotsjellës


Glauk Konjufca

I befasuar me vendimin e Gjykatës Themelore për lirimin nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit gjatë vitit 2016 ka mbetur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, meqë, sipas tij, ai ka pritur që të dënohej me kusht ose me gjobë.

“Që të lirohem krejt ka qenë befasi edhe për mua. Kam pritur që të jetë dënim ose me kusht ose me gjobë. Nuk do ta kisha problem që të jem i dënuar”, ka thënë Konjufca.

I pyetur për pozitën e Dejona Mihailit në Lëvizjen Vetëvendosje pas kritikave të deputetëve opozitarë se ajo po i urdhëron të tjerët në parti, Konjufca ka thënë se pozita e saj brenda LVV-së udhëzon atë që të bashkëpunojë me deputetët në fjalimet e tyre.

Konjufca ka pranuar se edhe ai vetë konsultohet me të, por nuk merr urdhra.

“Mihali e mban një pozitë të rëndësishme në LVV. Është kryetare e Komitetit të LVV-së. Komitetet e bëjnë politikën e LVV-së, e prodhojnë politikën profesionale të LVV-së. Politika profesionale e komiteteve është në bashkëpunim me deputetët se si t’i përgatisin fjalimet e tyre. Edhe unë konsultohem ndonjëherë me Dejona Mihalin, por nuk mendoj që ajo më jep urdhra mua, thjesht bisedojmë dhe vijmë në konstatime të përbashkëta”, ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca lidhur me akuzën për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 18 gusht të vitit 2016.

Kryetarja e trupit gjykues, Edita Çanta, ka thënë se “përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar që Konjufca e ka kryer veprën penale për të cilën e akuzon Prokuroria Themelore në Prishtinë”, ani pse Konjufca në vitin 2019 vet kishte shkruar në platformën sociale, Facebook, se ka hedhur gaz.

“Jam penduar që kam hedh gaz lotsjellës në Kuvend. Ish pas dashtë me marrë një allti me gaz e me gjuajt qeverinë. Gjykata paska pas me më shpall të pafajshëm e me më liru. Nuk kanë thane kot pleqtë – njeri hjek për mend”, kishte shkruar Konjufca.

Më 23 shkurt, në fjalën përfundimtare, prokurori i rastit Besart Mustafa kishte kërkuar që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të dënohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës.

Prokurori Mustafa ndër të tjera gjatë elaborimit të rastit ka potencuar se provat materiale dhe profesionale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se Konjufca ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore