Lajme

Konjufca dënon sulmin fizik ndaj gazetarit në Prizren: Akt i papranueshëm, s’i shërben synimeve tona si shoqëri


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dënuar sulmin fizik ndaj ekipit të mediumit të Nacionales në Prizren.

Përmes një postimi në Facebook, Konjufca tha se pengimi i punës së gazetarëve apo fyerjet gjatë kryerjes së detyrës “janë të papranushme”.

“Si të tilla, i dënoj me bindjen se nuk i shërbejnë aspak synimeve tona si shoqëri”, shkroi ai.

Kreu i Kuvendit theksoi se media përbën hapësirën dhe mjetin “përmes të cilit fjalët dhe qëndrimet e shprehura publikisht gjejnë mundësinë për shtrirje dhe trajtim më të gjerë të një çështjeje, ndërsa pengimi i gazetarëve është njëkohësisht mbyllje e hapësirës publike dhe tkurrje e vlerave demokratike”.

“Bëj thirrje që organet kompetente ta hetojnë dhe vlerësojnë rastin menjëherë në kuadër të përgjegjësive dhe detyrave të tyre përkatëse”, përfundoi Konjufca.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin fizik ndaj ekipit të mediumit të Nacionales në Prizren.

Nga AGK janë shprehur të tronditur me sulmin ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren, të cilët ishin atje për të raportuar për proteston e thirrur nga imamët lokalë kundër festivalit “DokuFest”.

“Sipas raportimeve të medies, ata janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre. Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja ka kërkuar nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë.

AGK-ja dënon sulmin fizik ndaj gazetarit në Prizren: Jemi të tronditur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore