Lajme

Konfiskimi i armëve në Veri, Kusari, Borrell-it: A është kjo jashtëgjyqësore?


Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pasi që i fundit të premten tha se Kosova po bënë arrestime “jashtëgjyqësore”.

Kusari përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, teksa publikoi videon e armëve të konfiskuara nga Policia e Kosovës, ku u deklarua se është parandaluar një sulm terrorist, e pyeti kryediplomatin evropian se “a është ky një konfiskim jashtëgjyqësor i municioneve për veprimtari terroriste në Kosovë?”

“Është bërë një ‘sport’ i lehtë për t’i përdredhur krahët e Kosovës sa herë që ndjen një hap tjetër më afër përshkallëzimit Kosovë-Seri. Por nuk do të jetë e keqe t’i quash gjërat me emrat e tyre”, shkroi ajo në Twitter.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ishte shprehur tejet i alarmuar nga situata e sigurisë në Veri të Kosovës, sidomos pas arrestimit të një serbi nga Policia e Kosovës dhe marshimit të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë, të premten.

“Shumë i alarmuar nga situata në Veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, kishte shkruar Borrell në rrjetin e tij social në Twitter.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, kishtebërë të ditur se pas një aksioni të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, të premten, është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, i cili ka bartur sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive, dhe municioneve të ndryshme përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.

Vetura, sipas Sveçlës, ishte ndaluar rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit dhe ka bartur sasi të mëdha të armatimeve me qëllim të realizimit të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Policia e Kosovës parandalon sulm terrorist. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë”, kishte shkruar Sveçla në Facebook.

Ky rast, sipas Sveçlës, konfirmon informacionet e pranuara nga Institucionet e sigurisë së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore