Lajme

Konfirmohet non-paper i ri që po mbahet “i fshehur në BE”


Në një kohë kur non-papers kanë pushtuar Ballkanin, me përmbajtjet e tyre për ndryshime të kufijve, kryesisht në pjesën perëndimore të gadishullit, një non-paper tjetër, dhe më i riu, i është dorëzuar selisë së Bashkimit Evropian, shkruan gazeta boshnjake “Oslobodjenje”.

Për dallim nga non-papers të deritanishëm, ky i fundit ka përmbajtje më pozitive dhe në fokus ka Austrinë si dhe shtetet e Grupit të Vishegradit, ku bëjnë pjesë: Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia.

Por, fillimisht për këtë non-paper shkroi agjencia austriake e lajmeve APA. Por, sipas tyre edhe ky non-paper propozonte ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor dhe se ai po mbahet “në dry nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkimit Europian”.

Ekzistimin e këtij non-paper e ka konfirmuar Ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, teksa thuhet se kërkon që qytetarët dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë biseda zyrtare me qëllim të një të ardhmeje të përbashkët në BE.

Brenda këtij non-paper kërkesë ka pasur edhe për BE-në, ku kësaj të fundit i është kërkuar ofrimi i përkrahjes më të madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Po, zyrtarisht jemi të njoftuar dhe unë jam e kënaqur me këtë qasje. Bosnjë-Hercegovina, sikurse edhe vendet e tjera në rajon, ka perspektivë të qartë të anëtarësimit. Ne kemi qenë gjithmonë pjesë thelbësore e Evropës, tani jemi në procesin e arritjes së standardeve evropiane për funksionimin dhe forcimin e shtetit”, ka thënë mes tjerash, ministrja e Jashtme e Bosnjës, Turkoviq.

Dy non-papers e mëhershëm është raportuar të kenë ardhur nga Sllovenia, Gjermania e Franca, teksa brenda tyre u propozuan ndryshime kufijsh me idenë se vetëm kështu do të arrihet paqja në Ballkan.

Këto vende mohuan se qëndrojnë pas këtyre dokumenteve jozyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore