Kulturë

Komploti i Pazzi-t ndaj vëllezërve Medici


Mëngjes Pashkë. Më 26 prill në vitin 1478 do të ndodhte momenti më i përgjakshëm dhe dramatik në historinë e Firences dhe Italinë e Rilindjes.

Ai që njihet si “Congiura dei Pazzi” (Komploti i Pazzi-t).

Në atë ditë të shenjtë, mu në dyshemenë e Katedrales së Firences, u gjend i pajetë Giuliano de ’Medici.

Në atë ditë, pas sulmit njëri ndaj vëllezërve Medici ndërroi jetë.

Por cilët qenë pjesëmarrësit në Komplotin Pazzi? Dhe pse donin t’i ekzekutonin vëllezërit Medici, Lorenzo-n dhe Giuliano-n?

Të dashur, të admiruar dhe të lakmuar nga shumë bashkëqytetarë të tyre fiorentinë, “djemtë e artë” Medici kishin edhe armiqtë e tyre.

Një mori rivalësh politikë, brenda dhe jashtë Firences, kundërshtuan pushtetin e tyre në rritje.

Familja e vjetër fiorentine Pazzi ishte njëra prej tyre dhe, përfundimisht, mblodhi fraksionet e tjera anti-Medici nën flamurin e tyre. Edhe vetë Papa qe kundër tyre…

Komploti Pazzi, kush, çfarë dhe pse?

Nga koha e Cosimo Plakut, gjyshi i Lorenzo-s të Madhërishmit, Medici-t qenë sundimtarët jozyrtarë të Firences.

Qyteti ishte ende një Republikë, por drejtohej nga tekat e familjeve të saj më me ndikim. Siç shkruante Guicciardini, Lorenzo i Madhërishmi ishte një lloj “tirani i lezetshëm”.

Jo dikush që mbronte idealisht demokracinë në qytetin e tij, por përkundrazi duke përdorur të gjitha paratë dhe ndikimin e tij, mbante pozicionin e pushtetit që familja e tij kishte ndërtuar për vete.

Familja prestigjioze dhe e pasur Pazzi gjeti një aleat të përsosur tek Papa Sisto IV. Ai i urrente Medici-t, pasi ata qenë përpjekur të ndalonin planet e tij të zgjerimit në Italinë qendrore dhe ai kishte revokuar kontratën bankare Papale me bankën Medici.

Papa “i pashenjtëruar”, Papa Sisto IV, në të vërtetë donte të blinte qytetin Imola për t’ia dhënë nipit të tij Girolamo Riario. Kur Medici e kundërshtoi, ai ishte më se i lumtur të mbështeste Riario, i cili po komplotonte një atentat me familjet anti-Medici në Firence.

Një klerik tjetër u përfshi gjithashtu, Francesco Salviati, i cili ishte i lidhur me Pazzi-n dhe familjen Riario. Ai kishte arsyet e veta për të urryer Medici-n, pasi Lorenzo e kishte ndaluar atë që të bëhej Kryepeshkop i Firences në 1474.

Papa e shpalli atë Kryepeshkop të Pizës dhe ai mori një rol aktiv në komplot. Disa sundimtarë italianë, si Duka i Urbinos dhe mbreti i Napolit, gjithashtu dëshironin që Medici të zhdukej, duke shpresuar që Firence do të humbte pozicionin e saj të favorshëm në Itali.

Përpjekja e parë, banketi i helmuar

Riario bëri një marrëveshje me Salviati-t, Pazzi-t dhe pasuesit e tyre, me bashkëpunimin e plotë të Papës. Më pas, komploti filloi të merrte formë.

Lorenzo dhe Giuliano duhet të vriteshin në të njëjtën çast, në mënyrë që të shmangej çdo mundësi hakmarrjeje më vonë.

Prandaj, plani i parë ishte t’i helmonin dy vëllezërit gjatë një banketi të organizuar në Firence, më 25 prill 1478, gjatë festimeve për Kardinalin e ri Raffaele Riario, i ardhur nga Roma i shoqëruar nga Salviati.

Por Giuliano, i cili nuk ndihej mirë atë ditë, nuk mori pjesë në mbrëmje.

Kështu që vrasja u shty për të nesërmen. Sakaq, trupat ishin të gatshme për të ndërhyrë në Firence dhe për të pushtuar territoret kryesore të Republikës se Firences. Kryepeshkopi Salviati duhej të merrte përsipër “Palazzo Vecchio”, që ishte dhe selia e qeverisë.

Vrasja në Katedralen e Firences

Pashkë, 26 prill 1478. Një mëngjes i bukur i të dielës në Firence. Katedralja po mbushej ngadalë me njerëz, ndërsa komplotistët qenë gati për të goditur.

Lorenzo dhe Giuliano po merrnin pjesë në meshë dhe vrasësit po prisnin sinjalin. Lorenzo reagoi shpejt kundër sulmuesve të tij, dy priftërinj që nuk zotëronin shumë mirë përdorimin e shpatës dhe arriti të shpëtonte në sakristi. Giuliano pati një fat tjetër.

Ai u godit brutalisht nga Francesco de Pazzi. Gjaku njollosi dyshemenë e katedrales Santa Maria del Fiore.

Gjaku u derdh lumë, por grushti i shtetit e humbi shënjestrën e tij. Lajmi për krimin u përhap shpejt në të gjithë Firencën, dhe miqtë e Medici-t dhe ndjekësit e tyre shkuan në kërkim të palës fajtore.

Hakmarrja u shërbye

Jacopo de ‘Pazzi, i cili u soll përsëri në Firence pasi u përpoq të arratisej në Apenine, u mor si i burgosur dhe u var në një nga dritaret e Palazzo Vecchio. I njëjti fat do të ndodhte me Francesco de ’Pazzi, kushërinjtë e tij Renato dhe Salviati. Nga e gjithë familja Pazzi, shumica u vra dhe pjesa tjetër u burgos ose u internua.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore