Lajme

Kompania izraelite e spiunazhit nën hetim nga SHBA


Firma teknologjike, NSO Group, duket se po përballet me një proces investigimi nga Departamenti i Drejtësisë (DoJ) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Kjo pasi kompanitë kryesore të teknologjisë thanë se prodhuesi i programeve të spiunazhit (spyware) ishte “i fuqishëm dhe i rrezikshëm”.

NSO Group njoftoi se po përballej me një hetim të FBI-së që në fillim të vitit 2020. Personat që njohin me këtë çështje thanë se procesi ishte duke u zvarritur, por DoJ po tregon interes të ri për çështjen.

Nuk është e qartë se cilat pjesë të dyshuara të piraterisë po shqyrtojnë hetuesit e Departamentit të Drejtësisë ose në cilën fazë është hetimi.

Kompania izraelite, NSO Group, krijon softuer hakimi dhe ua shet qeverive të huaja apo autoriteteve të zbatimit të ligjit, për qëllimin e deklaruar të ndjekjes së terroristëve dhe kriminelëve.

Kohët e fundit ajo është përballur me një numër akuzash që klientët e saj kanë përdorur softuerin e kompanisë për të përgjuar gazetarë, zyrtarë qeveritarë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut.

WhatsApp pohoi në 2019 që softueri i NSO Group ishte përdorur për të përgjuar më shumë se 1 mijë e 400 përdorues të vet, duke përfshirë një llogari me një numër telefoni në Washington DC.

Shënjestra të tjera dyshohet se përfshinin politikanë dhe aktivistë në Spanjë, gazetarë në Indi dhe Marok, disidentë të Ruandës në Evropë dhe anëtarë të klerit pro demokracisë në Togo.

WhatsApp ngriti një proces gjyqësor kundër kompanisë në SHBA. Zyrtarët e medias sociale pretendojnë se NSO Group kishte luajtur rol të rëndësishëm në sulmin kundër përdoruesve të saj.

Kompania izraelite e ka mohuar akuzën. Zyrtarë të kompanisë kanë thënë se NSO duhet të jetë imune ndaj padive të tilla meqë klientët e saj janë qeveri të huaja, të cilat janë përgjegjëse për aplikimin e softuerit në vendin e tyre.

Një gjykatës i gjykatës së apelit në SHBA, së shpejti do të vendosë nëse NSO Group-it duhet t’i jepet imunitet në çështjen civile që WhatsApp ka ngritur kundër saj.

Microsoft, Google dhe kompani të tjera të teknologjisë amerikane u bashkuan me këtë debat, vitin e kaluar. Ata argumentuan që dhënia e imunitetit për NSO Group paraqiste rreziqe të mëdha për sigurinë kibernetike globale.

“Një industri spiunazhi me imunitet do të shkaktonte shumë qeveri të huaja që të kenë akses në mjetet e ‘fuqishme dhe të rrezikshme’ të mbikëqyrjes kibernetike”, thanë ata.

Presidenti i Microsoft, Brad Smith, i bëri thirrje administratës së ardhshme të Biden-it që ta shqyrtojë çështjen ligjore kundër NSO Group.

Nuk është e qartë pse hetimi i DoJ kishte ngecur në vitin e fundit të administratës së Donald Trump.

Por, hetimet ndaj kompanive të huaja siç është NSO Group, i cili rregullohet ngushtë nga ministria izraelite e mbrojtjes, kanë tendencë të kërkojnë bashkëpunim me departamentin e shtetit amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore