Aplikacione

Komisioni i BE-së shqyrton çështjen tatimore të Italisë ndaj Meta-s


Një pagesë tatimore italiane kundër kompanisë Meta është përshkallëzuar në komitetin e TVSH-së të Komisionit të BE-së për vlerësim.

Kështu i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters tre burime me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje.

Korporata amerikane, e cila zotëron gjithashtu platformat Instagram, WhatsApp dhe Oculus, përballet me një faturë të mundshme tatimore prej rreth 870 milionë euro në Itali pasi prokurorët e Milanos nisën një hetim ndaj kompanisë në bazë të një kontrolli të policisë tatimore.

Edhe pse një shumë modeste për një kompani që ka përfituar më shumë se 32 miliardë dollarë të ardhura vitin e kaluar, çështja mund të ketë pasoja shumë më të gjera pasi varet nga mënyra sesi Meta ofron akses në shërbime.

Auditimi, i ideuar dhe kryer nga policia italiane Guardia di Finanza (GdF), pretendoi se regjistrimet e përdoruesve të Meta mund të shiheshin si një transaksion i tatueshëm, pasi ato nënkuptonin shkëmbimin jo-monetar të një llogarie anëtarësimi për të dhënat personale të përdoruesit.

Sakaq, Meta ka deklaruar vazhdimisht se nuk është plotësisht dakord me idenë se ofrimi i aksesit në platformat online për përdoruesit duhet t’i nënshtrohet tatimit mbi shitjet.

Të tre burimet kanë thënë ndërkohë se për shkak të ndjeshmërisë dhe natyrës së paprecedentë të çështjes, agjencia tatimore e Italisë i dërgoi një kërkesë për një vlerësim teknik komitetit të TVSH-së të Komisionit Evropian nëpërmjet Departamentit të Financave të qeverisë italiane në shtator.

​ Referuar burimeve, kërkesa kishte të bënte me trajtimin me TVSH të shërbimeve online të ofruara nga rrjeti social në këmbim të dhënies së të dhënave personale të përdoruesve të tij.

Vlerësimi i komitetit të BE-së për TVSH-në, koha e të cilit nuk dihet, do të jetë jo detyrues, por një “Jo” e tij mund të shtyjë ministrinë dhe agjencinë tatimore të ndalojnë sfidimin e Meta-s dhe përfundimisht të heqin dorë nga hetimi penal nga prokurorët e Milanos.

Megjithatë, TVSH-ja është një taksë e harmonizuar në nivel evropian, kështu që nëse do të konsiderohej se aplikohet në Itali, do të zbatohej automatikisht për të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së.

Po ashtu një trajtim i tillë tatimor mund të shtrihet në BE në të gjitha platformat e tjera shumëkombëshe të internetit që përdorin modalitetin e aksesit të lirë në këmbim të të dhënave të përdoruesit.

Ndërkaq, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka vënë në dukje se komiteti i TVSH-së ishte një grup i pavarur këshillimor.

“Komiteti i TVSH-së rregullisht merret me çështjet e ngritura nga Shtetet Anëtare dhe si rezultati ashtu edhe afati kohor varen nga agjenda”, ka thënë zëdhënësi.

Policia dhe agjencia tatimore e GdF llogaritën një model sipas të cilit Meta-s do t’i duhej të paguante rreth 220 milionë euro tatim mbi shitjen në vend në vitin 2021.

Ata llogaritën gjithashtu se TVSH-ja e detyrimit për periudhën 2015-2021 do të ishte në total 870 milionë euro.

Ndërkaq, Italia ka ndjekur kompani të tjera teknologjike mbi taksat.

Platforma e dhënies me qira të pronave Airbnb ka thënë këtë muaj se do t’i paguajë 576 milionë euro Agjencisë Italiane të të Ardhurave për të shlyer detyrimet e papaguara të tatimit mbi të ardhurat për periudhën 2017-2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore