Përballje

Kombëtarja e Shqipërisë do t’i luajë ndeshjet e shtatorit në “Elbasan Arena”


Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, nuk do të mundë t’i zhvillojë ndeshjet e muajit shtator në stadiumin “Air Albania”, për shkak se në këtë stadium janë duke u zhvilluar ende disa punime.

Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, stadiumi në Tiranë është duke u punuar ende për ndryshimin e tapetit dhe si rrjedhojë e kësaj, kombëtarja kuqezi do të zhvendoset në stadiumin “Elbasan Arena”.

“Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se dy ndeshjet brenda do të zhvillohen në ‘Elbasan Arena’ në ndryshim nga ndeshja me Anglinë e muajit mars që u luajt në stadiumin ‘Air Albania’”, thuhet në njoftimin e FSHF.

Bëhet fjalë për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës, të muajit shtator, ku Shqipëria do t’i ketë tri përballje.

Fillimisht Kombëtarja kuqezi më 2 shtator do të ballafaqohet në udhëtim me Poloninë, pastaj më 5 dhe më 8 shtator do të presin në qytetin e Elbasanit, Hungarinë dhe San Marinon.

Të tre këto sfida janë të vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022, ndërsa në një komunikatë, FSHF bëri me dije se prej të shtunës së 21 gushtit do të dalin në shitje edhe biletat për ndeshjet që do të luhen në shtëpi.

Sa i përket stadiumit “Air Albania”, FSHF po kryen një investim për vendosjen e një tapeti të ri, hibrid, i cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, ndërsa impianti pritet të jetë gati vetëm pas mesit të shtatorit.

Kujtojmë që Shqipëria bënë pjesë në Grupin I, ku përveç tri kombëtareve të lartcekura, ka edhe Anglinë dhe Andorrën.

Shqipëria momentalisht gjendet në vendin e tretë me gjashtë pikë të grumbulluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore