Sport

Kombëtarja e Kosovës në hendboll bëhet me trajner të ri


Bujar Qerimi është emëruar përzgjedhës i meshkujve të Kosovës në Hendboll.

Vendimin e mori bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës, pasi që paraardhësi i Qerimit, Taip Ramadani, dha dorëheqje.

Për shkak të kufizimeve në udhëtim, Ramadani e kishte të pamundur që të udhëtojë nga Australia (ku aktualisht jeton) që të jetë në krye të ekipit.

Për këtë arsye Ramdani dorëzoi pozitën si shef i çunave të Kosovës në Handboll.

Bordi, duke çmuar kontributin e Ramadanit, ka vendosur të pranojë dorëheqjen e tij, bazuar edhe në rrethanat e krijuara.

Ndërsa, Bujar Qerimi, tashmë trajner i Kosovës, është emër i dëshmuar në Handboll.

Ai fillimisht u njoh si ish-lojtari i Borcit të Ferizajt dhe pas përmbylljes së një karrierë të suksesshme si lojtar, vazhdoi me sportin, por si udhëheqës stoli.

Qerimi karrierën e trajnerit e ka zhvilluar kryesisht në Belgjikë, ku së fundi ishte seleksionues i kombëtares U20 të Belgjikës.

Tani Qerimi do të jetë në krye të Kosovës për katër ndeshjet kualifikuese për Euro 2022.

Kosova më 10 mars e pret Rumaninë në Prishtinë, ndërsa katër ditë me vonë do të luajë si mysafire pikërisht ndaj Rumanisë.

Ne fund të prillit, Kosova e pret Malin e Zi, kurse në fillim të majit i shkon nënkampionit të botës, Suedisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore