Lajme

Komandanti i KFOR-it takohet me Mehajn, diskutojnë për de-përshkallëzimin e tensioneve në Veri


Foto nga arkiva

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneral-majori Angelo Ristuccia, ka takuar këtë të mërkure ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, me të cilin ka biseduar për situatën në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuara atje.

Përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, nga KFOR-i kanë thënë se “sot komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, MG Ristuccia, ka takuar Mehajn nga institucionet e Kosovës për të diskutuar rreth situatës aktuale të sigurisë dhe nevojës për de-përshkallëzimin e tensioneve”.

“Ata rinovuan bashkëpunimin e tyre dhe ndihmën e KFOR-it për Forcën e Sigurisë së Kosovës për operacionet e mbrojtjes civile si shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese (EOD), kërkim-shpëtimi (SAR) dhe reagimi ndaj materialeve të rrezikshme (HAZMAT)”, shkruan ata në “Twitter”.

Ndryshe, ky takim vjen pas ngjarjeve të krijuara në Veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e katër komunave. Ky vendim shkaktoi reagim të ashpër të serbëve lokalë, të cilët ishin mjaft të dhunshëm në kundërshtimet e tyre.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi më tej kur xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare.

Pas këtyre tensioneve, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, thirri një “takim krize” në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore