Lajme

Komandanti i KFOR-it: Do të vijnë përforcime shtesë


Komandanti i Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia.

Komandanti i Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia, ka deklaruar se do të vijnë trupa shtesë për shkak të situatës së sigurisë në vend.

Ai e ka përshkruar këtë vit si jashtëzakonisht “sfidues”, duke kërkuar nga palët Kosovë-Serbi që të jenë më konstruktive.

“Ka qenë një vit tejet sfidues për ne. Kjo krizë ka kërkuar orvatje ushtarake dhe diplomatike për të krijuar situatë më stabile. Situata është bërë më e ndërlikuar për shkak të disa faktorëve, mosbesimit mes palëve, çështjeve të pazgjidhura të gjata, narrativave toksike gjatë këtyre javëve, janë ndërmarrë shumë veprime. Trupa shtesë do të vazhdojnë të vijnë edhe nga aleatët tjerë”, ka thënë ai.

Ristuccia, në përfundim të mandatit të tij ka deklaruar se situata në Veri aktualisht është e qetë.

Ai gjatë një konferencë për media ka pohuar se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për ta qetësuar situatën atje.

“Situata tani është më e qetë sesa që ishte para disa ditëve, kjo është e sigurt. Problemi është që sa herë që shpërthen një krizë ka përpjekje të vazhdueshme për ta stabilizuar situatën”.

Ristuccia, ka thënë se nëse Kosova dhe Serbia s’do të vazhdojnë të negociojnë kjo do të dërgojë në “baraspeshë më të cenuar”.

Komandanti i Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia.

“Baraspesha që arrihet nëse palët kthehen në tryezave dhe s’negociojnë për një zgjidhje politike, kjo baraspeshë do të jetë më e cenuar dhe më e thyeshme sesa herën e kaluar, prandaj palët duhet të kthehen në tryezë për dialogun”.

Ai është pyetur edhe për situatën e 24 majit, ku në Veri mbetën të lënduar pjesëtarë të KFOR-it duke pohuar se akoma janë duke vazhduar hetimet rreth kësaj ngjarje.

Po ashtu, theksoi se janë duke hetuar edhe llojet e armëve që deri tani janë konfiskuar nga Policia e Kosovës e për të cilat drejtori i Policisë tha se u përdoren edhe në sulmin e 24 majit në Veri.

“Sa i përket ngjarjes së 24 majit, ne jemi akoma duke punuar për të kuptuar se çfarë lloj pajisje janë konfiskuar nga Policia e Kosovës ne e kemi listën sepse bashkëpunojnë me Policinë. Akoma janë duke u zhvilluar hetimet”.

Teksa për arsenalin e armëve ka deklaruar se akoma s’kanë njohuri se si janë futur këto armë.

“Është shumë herët të thuhet se si janë futur këto armë. Sidoqoftë ne jemi prezent edhe në Veri të Kosovës dhe gjithandej dhe jemi duke e zbatuar mandatin. Ne e kemi detyrën nga NATO-ja dhe jemi duke punuar. Aktivitet që zbatohen janë në linjë administrative”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore