Shqipëria

Kolonjë: Policia e konfirmon, trupi i dekompozuar i përkiste Sherif Mukaj – ishte qëlluar me armë zjarri


Policia e Korçës të hënën e 13 qershorit ka bërë me dije se eshtrat e gjetura në malin e Gramozit i përkasin Sherrif Mukajt, i cili ishte zhdukur që prej muajit nëntor të vitit 2021.

“Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se trupi i përket shtetasit Sh. M., 29 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë, i cili rezulton i larguar nga banesa që pas kallëzimit të bërë nga babai i tij, më datë 10 nëntor, pranë Komisariatit të Policisë Kolonjë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Ndërkaq sipas hetimeve paraprake, grupi hetimor ka konstatuar në pjesën e kafkës një vrimë tejshpuese që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit.

Ndërsa nga kontrolli i ushtruar në vendngjarje, nuk është gjetur gëzhojë apo predhë arme zjarri.

Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një xhup, brenda të cilit kishte një aparat celular.

Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, mbetjet kockore do të dërgohen në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.

I ati i Mukajt jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kishte ardhur në Shqipëri për të mësuar rreth zhdukjes së të birit.

Sipas tij Sherif Mukaj është larguar nga banesa e tij në fshatin Starje në Kolonjë duke lënë aty aparatin celular, kartë identiteti dhe makinën.

Për mediat ai ka deklaruar se mjetet e gjetura në banesë i janë dorëzuar Prokurorisë dhe ka kërkuar që të zbulohet se me kë ka kontaktuar herën e fundit i biri.

Ndër të tjera ai ka treguar se i biri nuk vuan nga asnjë sëmundje që ka lidhje me shëndetin mendor apo ndonjë problem ekonomik, konflikte a borxhe.

Deri më 5 nëntor, vijon ai, zilja në telefonin e tij shkonte, por asnjëherë nuk përgjigjej

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore