Sport

KOK-u ndan shpërblimet për sportistët që morën pjesë në “Tokyo 2020”


Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), ka ndarë shpërblime për të gjithë sportistët që morën pjesë në Lojërat Olimpike verore, “Tokyo 2020”.

Dy medalistet e arta të Tokios, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, morën nga 10 mijë euro shpërblim për sukseset e tyre, derisa trajneri i tyre, Driton Kuka mori 5 mijë euro.

Ndërsa edhe nëntë sportistët tjerë që ishin në Tokio, u shpërblyen me nga 500 euro.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve u bënë me rastin e 7 vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

Përveç ndarjes së shpërblimeve, KOK-u sot nënshkroi kontrata me 22 bursistë olimpik për mbështetjen e tyre deri në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Të pranishëm në ceremoni, ishin krerët e KOK-ut në krye me Ismet Krasniqin, gjithashtu ishin pjesëmarrës edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në krye me ministrin Hajrulla Çekun.

Në fjalën e tij, Çeku, foli për rëndësinë që kishte pranimi i KOK-ut dhe federatave sportive në arenën ndërkombëtare, derisa u ndalë tek suksesi në Tokio 2020 dhe mbështetja e KOK-ut drejt Paris 2024.

“Është kënaqësi e madhe kur në listën e bursave shoh sportistë që ishin edhe në Tokio. Drejt Parisit ju pret një rrugë e gjatë përpara. Ju uroj suksese në procesin përgatitor, jo vetëm juve, por gjithë sportistëve që kanë për qëllim të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha Çeku.

“Shpresoj shumë që në Paris të shkojmë me më shumë sportistë, më shumë norma olimpike dhe të kthehemi me më shumë medalje”, tha mes tjerash ministri Çeku.

Gjithashtu me rastin e ceremonisë, foli edhe mjeshtëri i xhudos, Driton Kuka, i cili përgëzoi KOK-un për përkrahjen që po u bënë sportistëve, me theks të veçantë u ndalë tek 22 Bursat Olimpike Paris 2024.

“Është kënaqësi që KOK po i drejton 22 sportistë drejt Parisit, dhe tani nuk kanë arsye për ankesa. Shpresoj që të paktën të kemi 10 të kualifikuar, kurse unë si trajner shpresoj të kthehemi me medalje, sepse të kalohet Tokio 2020 është shumë e vështirë”, theksoi Kuka.

KOK-u u falënderua edhe nga kampionia olimpike, Nora Gjakova, dhe mundësi Egzon Shala, të cilët folën në emër të sportistëve, me besimin se drejt kryeqytetit të Francës do të udhëtojnë me më shumë norma olimpike dhe të arrijnë sa më shumë suksese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore