Sport

Klubi italian refuzon 22 milionë euro nga Dortmund-i për shërbimet e mbrojtësit të tyre


Klubi italian, Spezia, thuhet se i ka refuzuar 22 milionë euro nga Borussia Dortmund-i, të cilët i ofruan për shërbimet e mbrojtësit 22-vjeçar, Jakub Kiwior.

Qendërmbrojtësi polak ka impresionuar me paraqitjet e tij me klubin e Spezia-s, që nga transferimi i tij në gusht të vitit 2021.

Ai i kushtoi Spezia-s vetëm 2.2 milionë euro, por tashmë ka tejkaluar pritshmëritë në Serie A dhe tërhoqi vëmendjen e një sërë klubesh, me Juventus-in dhe Milan-in që kryesojnë garën për mbrojtësin.

Siç raportohet nga “Tuttomercato”, Borussia Dortmund nisi një lëvizje konkrete për Kiwior dhe i propozoi një ofertë totale prej 22 milionë euro Spezia-s për qendërmbrojtësin, e cila u refuzua.

Italianët janë të bindur se mund të fitojnë pak më shumë nga shitja e talentit të tyre, i cili ka kontratë me klubin deri në vitin 2025.

Në anën tjetër, “TMW” raporton se gjatë verës së ardhshme pritet të jetë një garë e nxehtë mes Juventus-it dhe Milan-it për shërbimet e Kiwior.

Paraqitjet e 22-vjeçarit me Spezia-n, kanë bërë që ai të ftohet edhe nga ekipi kombëtar i Polonisë, madje ai ishte i ftuar në Kupën e Botës, ku në katër ndeshjet e polakëve luajti si titullar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore