Sport

Klubet nga Shqipëria dhe Kosova mësojnë kundërshtaret në kualifikimet për “Europa Conference League”


Është hedhur shorti për raundin e parë kualifikues të  garës më të re evropiane për klube “Europa Conference Leauge”, në të cilën bëjnë pjesë edhe pesë ekipe nga Shqipëria dhe Kosova.

Vllaznia, Partizani dhe Laçi do të jenë ekipet pjesëmarrëse nga Shqipëria, derisa Drita dhe Llapi do të përfaqësojnë Kosovën në këtë garë.

Nënkampioni i Shqipërisë, Vllaznia, nuk do të ketë short aq të vështirë për të kaluar raundin e parë të kësaj gare.

Klubi nga Shkodra, do të përballet me ekipin nga Bosnja Hercegovina, Široki Brijeg.

Skuadra tjetër shqiptare, Partizani, do të luajë kundër skuadrës nga Moldavia, Sfintul Gheorghe, që gjithashtu konsiderohet një ekip që mund të kalohet lehtë.

Derisa, skuadra tjetër pjesëmarrëse, Laçi, do të përballet me ekipin nga Mali i Zi, Podgorica.

Nënkampioni i Kosovës, Drita, do të përballet me ekipin nga Tuzi i Malit të Zi, Decic.

Kurse, fituesi i Kupës së Kosovës, Llapi, që për herë të parë do të marrë pjesë në garat evropiane, do të ndeshet me Shkupin.

Ndeshjet e para do të zhvillohen më 8 korrik, ndërsa sfidat e kthimit me 15 korrik.

Derisa, kujtojmë që finalja e madhe do të luhet më 25 maj 2022 në stadiumin Air Albania.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore