Shqipëria

KLSH: Menaxhimi i situatës pandemike nuk ishte shumë efektiv


Departamenti i Auditimit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ushtroi një auditim me temë “Efektiviteti i menaxhimit të situatës pandemike Covid-19”.

Auditimi u zhvillua nё subjektet Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Institutin e Shëndetit Publik.

Kontrolli i Lartë i Shtetit(KLSH) arriti nё pёrfundimin se, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me institucionet e varësisë, ndërmori masa për parandalimin dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve, por menaxhimi i situatës nga sistemi ynë shëndetësor nuk ishte shumë efektiv.

“Menaxhimi i COVID-19 në vendin tonë nxorri në pah problematikat e shumta të sistemit shëndetësor”, ravijëzoi KLSH.

Ndër to KLSH renditi, kapacitete spitalore rajonale të pamjaftueshme, funksionimin joeficient të qendrave shëndetësore, kapacitete të kufizuara profesionale të specialistëve të sëmundjeve infektive, fonde financiare të pamjaftueshme, mangësi në stokun e materialeve të mbrojtjes personale, pamjaftueshmëri në trajnimet e stafit mjekësor, pasiguri në vendin e punës, etj.

Sipas raportit përfundimar të procesit të auditimit, politikat e ndjekura nga MSHMS dhe institucionet shëndetësore publike dhe jopublike nuk realizuan ofrimin e shërbimit shëndetësor si një e mirë publike me standarde evropiane.

“Në kushtet kur Shqipëria sot, referuar standardeve evropiane, përballet me sfidën e mbulesës së kujdesit shëndetësor universal në shëndetësi, nevojitet që, politikat shtetërore të realizojnë parimet e një të mire publike në shërbim të rritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve drejt integrimit evropian”, tregon KLSH.

Për përmirësimin e gjendjes, KLSH rekomandoi propozime për ndryshime dhe përmirësime në legjislacionin në fuqi, si dhe vendosi 16 masa organizative.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore