Shqipëria

Mbledhje e përbashkët e organeve të drejtësisë, fokus rritja e standardeve


Mëngjesin e 29 dhjetorit është zhvilluar mbledhja e parë mes anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe atyre të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) në Shqipëri.

Fokusi i takimit ishte përmbledhja e punës gjatë gjithë këtij viti dhe diskutimi për zgjidhjen e problemeve.

Kreu i KPL-së, Gent Ibrahimi, në fjalën e tij u shpreh se mbledhja i shërben punës së përbashkët, pasi performanca është një “gur themeli i të dyja institucioneve”.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe miratimin e Hartës së re Gjyqësore, për të cilën theksoi se është “tejet komplekse për punën e magjistratit”.

Ibrahimi ka kërkuar që një akordim dhe interpretim ligjor midis dy institucioneve për menaxhimin sa më optimal të sistemit gjyqësor.

“Ne jemi solidarisht përgjegjës për menaxhimin e sistemit të drejtësisë. Kjo është mbledhja e parë e dy Këshillave, sepse të dy institucionet menaxhojnë statusin dhe karrierën e magjistratëve. Jemi familjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe çështjet që kemi zgjedhur për t’i trajtuar sot kanë ndjeshmëri publike”, shtoi ai.

Për të, procesi i Vetting-ut, deri më tani ka rezultuar në një sukses dhe ka legjitimitet të plotë.

Ibrahimi tha se seancat publike të KLP-së nuk kanë të krahasuar as me mbledhjet e Qeverisë, apo institucioneve të tjera. Kjo pasi gjithçka ndodh para kamerave.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami

Nga ana tjetër, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, ka ravijëzuar se sot janë “në këmbë 2/3-ta e gjyqtarëve, por ata të Apelit mbeten më problematiket”.

Sipas saj, po ecet me hapa të sigurt drejt vendosjes së standardeve dhe rregullave të sistemit të drejtësisë.

“Në 2021-shin, KLGJ-ja ka mundësuar trupën gjyqësore me 26 punonjës në shkallë vendi dhe për të krijuar njësitë gjyqësore për Apelin. Misioni vazhdon, gjithçka duhet e pamundur derisa arrihet”, u shpreh Llagami.

Harta e re Gjyqësore

Mëngjesin e 28 dhjetorit është prezantuar Harta e re Gjyqësore në Shqipëri, me qëllim rritjen e eficiencës së drejtësisë në vend.

Prej muajsh, projekti i hartës i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë.

KLGJ-ja, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, më 8 qershor e ka hartuar këtë projekt, që i është dërguar për shqyrtimin Ministrisë.

Sipas hartimit, Këshilli ka propozuar që nga “22 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm, gjashtë gjykatat administrative të shkallës së parë dhe gjashtë gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm të riorganizohen në 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm dhe dy gjykata administrative në shkallë të parë, dhe një gjykatë apeli”.

Me fjalë të tjera është kërkuar një ulje e numrit të gjykatave.

Në deklaratë shkruhet se “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore