Shqipëria

KLGJ: Aludimet pa fakte për “kapje” të gjyqtarëve minojnë besimin te drejtësia


Këshilli i Lartë Gjyqësor reagoi pas akuzave të kryedemokratit Sali Berisha ndaj Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për “kapje” të gjyqtarëve nga kryeministri Edi Rama.

“Aludimet për ‘kapje’ të gjyqtarëve, referojnë elementë të korrupsionit që, në mungesë të fakteve, minojnë rëndë besimin te drejtësia dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor”, shkruhet në deklaratën e institucionit.

Fill pas vendimit të Apelit, i cili pranoi ankimin e grupimit të Enkelejd Alibeaj, Berisha në një deklaratë për mediat tha se kryeministri Edi Rama “komunikoi vendimin e tij, me një synim likuidimin e opozitës dhe pluralizmit në Shqipëri”.

“Tre gjykatës me një proces të pashembullt kundër pluralizmit lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Edi Ramës”, shprehej ish-kryeministri.

Sipas KLGJ-së, kjo gjuhë urrejtjeje kundër gjyqtarëve “është shqetësuese dhe e papranueshme”.

“Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton me keqardhje se ky nuk është një rast i izoluar i mosrespektimit të dinjitetit të gjyqtarit, një kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës. Gjuha e urrejtjes kundër gjyqtarëve është shqetësuese dhe e papranueshme”, vijon njoftimi.

Për këshillin gjyqësor, thirrjet publike për vetëgjyqësi, ndaj një akti të pushtetit gjyqësor, pavarësisht mos dakordësisë me të, “janë haptazi kundër rendit kushtetues, mbi bazën e të cilit funksionon shteti i së drejtës”.

Po ashtu, KLGJ-ja ftoi palët që nëse janë në dijeni të një veprimtarie apo sjellje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore sipas ligjit, ka mundësinë që rastin t’ia referojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Kjo, për të vlerësuar dhe vendosur nëse është vendi për fillimin e procedimit disiplinor të gjyqtarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore