Lajme

KKSH hap zyrë edhe në Novi Pazar


Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi (KKSH), përveç se në Luginë të Preshevës, tanimë do të ketë zyrë edhe në Novi Pazar (Pazari i Ri).

Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i Këshillit Kombëtar, Nevzad Lutfiu.

Nevzad Lutfiu

“Sot në seancën e Këshillit Kombëtar Shqiptar paraqita propozimin për hapjen e zyrës së KKSH-së në Pazarin e ri. Me 8 vota për u pranua ky propozim”, shkroi Lutfiu në Facebook.

Teksa e quajti këtë si një “super lajm”, kreu i KKSH-së theksoi se “do të jemi pranë çdo shqiptari/e që gjendet në Serbi”.

Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi që Lutfiu vizitoi disa të rinj shqiptarë në Novi Pazar (Pazarin e Ri), ku njoftoi se shumë shpejt institucioni që ai drejton do të fillojë kursin e gjuhës shqipe për të gjithë të rinjtë që jetojnë në Serbi e që nuk kanë mundësi që të ndjekin shkollën shqipe.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore