Lajme

“Kjo është tallje”, thotë Hoti për tri seancat që do të mbahen në Kuvend


Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tash deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar mazharonacën në lidhje me mbajtjen e tri seancave të Kuvendit gjatë kësaj të enjte.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoti ka thënë se këto seanca do të jenë “joserioze” dhe “tallje” për temat të cilat do të trajtohen.

“Agjenda e sotme e Kuvendit, me tri seanca njëra pas tjetrës, është tallje me temat që diskutohen dhe me ata që preken nga këto tema. Ora 10:00: Ligji për pagat dhe ligji për zyrtarët publik, që prekin jetën e 85 mijë zyrtarëve dhe familjeve të tyre”, shkroi Hoti.

“Ora 12:00: “Strategjia e energjisë 2022-2031”, tema më e rëndësishme e dekadës për secilin shtet, për qytetarët dhe për bizneset”.

“Ora 13:00: Seancë e re me një marrëveshje ndërkombëtare për kredi, shtatë projektligje, debati për raportin e Komisionit Evropian dhe një raport për një agjenci”.

Ai ka thënë se janë edhe pesë apo gjashtë seanca të hapura që nga fillimi i sesionit vjeshtor të Kuvendit.

“Kjo është joserioze. Me këtë qasje kjo mazhorancë tregon se nuk do konsensus me opozitën për temat e rëndësisë nacionale. As debatin e opozitës nuk duan ta lejojnë”.

Sipas tij, as mazhoranca nuk do te ketë ndikim, pasi ata kanë një detyrë tjetër.

“Sa u përket deputetëve të mazhorancës, ata janë aty vetëm për të ngritur dorën kur u kërkohet, pa u marrë me përmbajtjen e asaj që votojnë”.

Këtë të enjte deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë dy seanca plenare dhe një seancë të jashtëzakonshme – një në orën 10:00, një në orën 12:00 dhe një tjetër në orën 13:00.

Me fillim nga ora 10:00, mbahet seanca e parë plenare në të cilën pikë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i Projekligjit për Zyrtarët Publik dhe Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Që nga viti 2020, çështja e Projektligjit për Pagat është bërë temë e sindikalistëve të sektorëve të ndryshëm në Kosovë.

Sektori i shëndetësisë, arsimit dhe ai i zjarrfikësve kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ky projektligj të hartohet në bashkëpunim me sindikatat dhe që si ligj të zbatohet nga viti 2022.

Ky projektligj disa herë kishte dështuar për t’u dërguar në Kuvendin e Kosovës, megjithatë me përpjekjet e vazhdueshme të opozitës ky projektligj do të dërgohet sërish në Kuvend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore