Lajme

Kuvendi mban dy seanca plenare dhe një seancë të jashtëzakonshme – shqyrtohet Projektligji për Paga dhe Strategjia për Energjinë


Kuvendi i Kosovës

Këtë të enjte deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë dy seanca plenare dhe një seancë të jashtëzakonshme – një në orën 10:00, një në orën 12:00 dhe një tjetër në orën 13:00.

Me fillim nga ora 10:00, mbahet seanca e parë plenare në të cilën pikë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i Projekligjit për Zyrtarët Publik dhe Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Që nga viti 2020, çështja e Projektligjit për Pagat është bërë temë e sindikalistëve të sektorëve të ndryshëm në Kosovë.

Sektori i shëndetësisë, arsimit dhe ai i zjarrfikësve kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ky projektligj të hartohet në bashkëpunim me sindikatat dhe që si ligj të zbatohet nga viti 2022.

Ky projektligj disa herë kishte dështuar për t’u dërguar në Kuvendin e Kosovës, megjithatë me përpjekjet e vazhdueshme të opozitës ky projektligj do të dërgohet sërish në Kuvend.

Seanca e jashtëzakonshme, e cila fillon prej orës 12:00, do të pasojë me shqyrtimin e Strategjisë së Energjisë të Kosovës për periudhën 2022-2031.

Me krizën energjetike pas agresionit rus në Ukrainë dhe rrjedhimisht me rritjen e çmimeve të energjisë, është përballur edhe Kosova.

Në mbledhjen e mbajtur të premten e javës së kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe draftin e Strategjisë për Energjinë për periudhën 2022-2031.

Qëllimi i Qeverisë, sipas kryeministrit Albin Kurti, është që kjo strategji t’i mundësoje sektorit të energjisë të shërbejë si mjet për rritjen ekonomike të vendit.

Ndërkaq, pas përfundimit të seancës së dytë të jashtëzakonshme, Kuvendi do të miratojë procesverbalet nga seancat e mëparshme.

Gjithashtu, do të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e Financave Publike dhe Rritjes Ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Ligjvënësit kosovarë do të bëjnë shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, si dhe shqyrtimin e dytë të Projektligjit pёr anti dopingun.

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Bujqësi dhe zhvillim rural, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, janë disa nga pikat tjera të rendit të ditës.

Tutje, të zgjedhurit e popullit do të zhvillojnë debatin parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022.

Periudha e raportimit, siç thuhet në këtë raport, përkon me vitin e parë të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, pra mbulon periudhën nga qershori i vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022.

Gjetja kryesore e Komisionit Evropian, të cilën e ka shfaqur në këtë raport, është pikërisht menaxhimi i dobët i agjendës legjislative.

Puna e Kuvendit, sipas raportit, mbetet e ndikuar negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe vështirësi të theksuara në arritjen e kuorumit vendimmarrës, ndonëse ekzekutivi ka një shumicë të fortë.

Ndryshe, mbledhjet plenare të Kuvendit mbahen zakonisht dy herë në muaj dhe java plenare fillon ditën e enjte.

Seanca e fundit e Kuvendit u mbajt më 15 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore