Lajme

Kissinger: Ukraina të trajtohet si vend i NATO-s


Unë besoj se në një mënyrë ose në një tjetër, formalisht ose jo, Ukraina duhet të trajtohet si një shtet anëtar i NATO-s.

Ka qenë kjo deklarata e arkitektit të pjesës më të madhe të politikës së jashtme amerikane në shekullin XX – ndoshta burrështetasi më i fuqishëm që ka mbetur gjallë –  Henry Kissinger, për prestigjiozen “Wall Street Journal”.

Pavarësisht kësaj, Kissinger shton se konflikti Ukrainë – Rusi mund të përfundojë vetëm falë një marrëveshjeje, që ruan përfitimet territoriale të marra nga Rusia në vitin 2014, kur ajo pushtoi Krimenë dhe një pjesë të rajonit të Donbasit.

Ish-sekretari amerikan i shtetit ka pohuar se bota sot e gjen veten në prag të një çekuilibri të rrezikshëm, të shkaktuar kryesisht nga mungesa e një strategjie në politikën ndërkombëtare të SHBA-ve.

Ai shprehet se, nuk sheh asnjë alternativë tjetër përveçse t’i marrë seriozisht shqetësimet e sigurisë të deklaruara nga presidenti, Vladimir Putin, dhe beson se ishte një gabim për NATO-n që i bëri të ditur Ukrainës se përfundimisht mund t’i bashkohej Aleancës.

The Impeachment Inquiry Must Be Broad, and the Reason Why Is Henry Kissinger - The American Prospect

“Ukraina është në fakt një grup territoresh të aneksuara dikur në Rusi, të cilat rusët i shohin si të tyret, edhe nëse ‘disa ukrainas’ mendojnë ndryshe”.

Kissinger shprehet se stabiliteti do të ishte shërbyer më mirë duke e bërë Ukrainën një shtet bufer midis Rusisë dhe Perëndimit.

“Unë isha në favor të pavarësisë së plotë të Ukrainës, por mendoja se roli i saj më i mirë ishte diçka si Finlanda, por pas pushtimit nga trupat e Moskës, Ukraina duhet të trajtohet si një anëtare e NATO-s”.

Kissinger së fundmi ka prezantuar botimin e librit të tij të fundit, “Udhëheqja”.

Në të ai përshkruan gjashtë shembuj të lidershipit politik – nga Adenauer te De Gaulle, nga Nixon te Sadat-i, nga Lee Kuan Yew te Margaret Thatcher.

Kissinger ravijëzon se politikanët e sotëm nuk duhet doemos të ndjekin shembujt e njerëzve që ai ka portretizuar, sepse ata janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri.

Por mendon se ata mund të mësojnë nga problemet me të cilat u përballën këta udhëheqës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore