Lajme

Kishida i Japonisë sheh mundësi në rritje që Rusia të përdorë armë bërthamore


Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida tha të shtunën se perspektiva e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia ishte “gjithnjë e më reale”, duke përshëndetur një vizitë të ambasadorit të SHBA-ve në Hiroshima, qyteti i parë që pësoi një sulm bërthamor.

Japonia, i vetmi vend i sulmuar nga armët atomike, është shprehur rregullisht kundër armatimeve bërthamore. Kishida, i cili përfaqëson Hiroshimën në parlament, vizitoi memorialin dhe muzeun e paqes të qytetit të shtunën me të dërguarin Rahm Emanuel.

“Kur përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore nga Rusia është gjithnjë e më real, unë besoj se vizita e ambasadorit Emanuel në Hiroshima dhe përvoja e tij për të parë realitetin bërthamor do të bëhet një mesazh i fortë për shoqërinë ndërkombëtare”, tha Kishida për transmetuesin publik NHK.

“Unë besoj se vizita jonë ishte kuptimplotë”.

Ai tha se lufta e Rusisë në Ukrainë tregon vështirësitë e krijimit të një bote pa armë bërthamore.

Putin nuk ka kërcënuar drejtpërdrejt me një sulm bërthamor. Por ai paralajmëroi, në nisjen e pushtimit të tij më 24 shkurt, se kushdo që pengon Rusinë do të përballet me “pasoja të tilla që nuk i keni hasur kurrë në historinë tuaj” – një deklaratë që disa liderë e morën si kërcënim për të përdorur armë bërthamore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të martën se Rusia do të përdorë armë bërthamore vetëm për të kundërshtuar “një kërcënim ekzistencial për vendin tonë”.

Udhëheqësit e Grupit të Shtatë fuqive industriale paralajmëruan Rusinë të mos përdorë armë biologjike, kimike apo bërthamore në luftën e saj me Ukrainën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore