Lajme

Kisha Ortodokse Serbe: Qëllimi i Qeverisë së Kosovës është krijimi i një shteti etnikisht shqiptar


Porfirije

Kisha Ortodokse Serbe ka akuzuar të mërkurën Qeverinë e Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ndaj Policisë së Kosovës, duke pretenduar se autoritetet kosovare duan të krijojnë një shtet “etnikisht shqiptar”, derisa ka mohuar çdo mundësi që kisha të jetë e përfshirë në aktet e dhunshme të së dielës.

“Me keqardhje vërejmë se shumë nga Prishtina dhe nga bota, por që është shumë më tragjike, edhe nga Beogradi, nga pole të ndryshme ideologjike, pa zgjedhur mjete, përpiqen ta portretizojnë Kishën Ortodokse Serbe si pjesëmarrëse, madje edhe fajtore, të konflikteve dhe ngjarjeve tragjike”, kanë thënë përfaqësuesit e kishës nëpërmjet një deklarate të mërkurën.

Kisha Ortodokse Serbe ka vazhduar propagandën viktimizuese, duke pandehur se qëllimi i Qeverisë së Kosovës është që “kisha serbe dhe besimtarët e saj të zhduken nga Kosova”, derisa ka shtuar se kisha gjithmonë ka avokuar që “keqkuptimet” në Kosovë të zgjidhen me dialog e në mënyrë paqësore.

“Kisha Ortodokse, sidomos fuqive të mëdha, shumë herë u ka vënë në dukje politikën jashtëzakonisht të rrezikshme të pushtetit në Prishtinë, qëllimi i vetëm i të cilës është dëbimi i plotë i popullit serb dhe krijimi i Kosovës etnikisht shqiptare. Muajt e fundit janë arrestuar njerëz, pa asnjë provë apo me prova të fabrikuara, janë sekuestruar toka në posedim të serbëve”.

Kujtojmë se Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Porfirije në muajin tetor të vitit të kaluar është fronëzuar në Patriarkanën e Pejës, ku në fjalimin e tij u bëri thirrje “vëllezërve shqiptarë” dhe popullit serb që të luten për paqe, mirëpo, ai është fokusuar prej kohësh në promovimin dhe zbatimin e ideologjisë nacionaliste të “Serbisë së Madhe” në aktivitetet e tij publike.

Në një video të publikuar të martën nga Policia e Kosovës, shihet nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Milan Radojiçiç, duke udhëhequr terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës, të dielen e 24 shtatorit, ku për pasojë u shua jeta e rreshterit Afrim Bunjaku, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.

Pjesëtarët e këtij grupi, përfshirë kryekriminelin serb në arrati, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Radojçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb dhe autoriteteve në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe tetë janë arrestuar deri më tash, ndërsa të tjerët janë arratisur në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore