Lajme

Kisha ‘e përqafuar’ nga xhamat blu në Kinë


Në Luoyuan të Kinës, studioja arkitekturore e quajtur Inuce, ka ndërtuar një kishë të mbështjellë nga 100 mijë panele prej xhami, çka synon të ndërthurë traditën e krishterë dhe vërtetësinë vendase kineze.

Dezeen, faqe dedikuar arkitekturës, tregon se kisha e vendosur në qytetin bregdetar të Kinës Lindore, u krijua në shërbim të komunitetit të krishterë, i cili gjendet në zonë, por edhe për të qenë një strehë e zhvillimit të shpejtë të rajonit.

“Dekadat e zhvillimit industrial dhe rritja e përshpejtuar urbane kanë dëmtuar shpatet e maleve me gurore të Luoyuan-it, kanë dëmtuar tokat bujqësore idilike me fabrika dhe kanë shtyrë rrethet e mëdha të banimit gjithnjë e më thellë në brendësi të saj”, është shprehur drejtori i Inuce, Dirk U Moench.

Ai ka vazhduar se “e ndërtuar në një vend të largët në mes të një shkretimi të tillë, kisha e re u krijua për të ofruar strehë dhe rehati nga mundimet e një bote në ndryshim dhe duke u kujdesur veçanërisht për shpresat dhe dëshirat e shumë vendasve që u rritën në rajon”.

Së bashku me sallën kryesore, në kishë janë të pranishme edhe kafene, salla rinore, klasa apo zyra. Kjo, pasi studioja dëshironte të ndërthurte funksione të ndryshme në një strukturë që frymëzohet nga tradita e krishterë dhe ajo kineze.

“Sfida e veçantë e këtij projekti ishte të integronte kërkesat komplekse dhe të rëndomta të një ndërtese të tillë me përdorim të përzier, me praninë dinjitoze të një vendi adhurimi, duke ruajtur një ndjenjë të traditës së krishterë dhe vërtetësisë kineze vendase në këtë mjedis gjithnjë e më anonim”, ka shpjeguar Moench.

Në një formë që të kujton strehimin rajonal në formë unaze të quajtur Tulou, secili prej funksioneve të ndërtesës është rregulluar rreth një oborri me një kishëz të vogël në qendër të tij. Dhe, ndryshe nga Tulou tradicionale, unaza thyhet nga një hyrje e shënuar me një kryq të madh.

“Modeli i miratuar për Kishën e Luoyuan-it përdor parimin e tij themelor të organizimit nga Tulou, duke shfaqur korridore të hapura që rrotullohen rreth një oborri të gjelbër të komunitetit”, ka thënë Moench.

Ai ka shtuar se “në vend që të imitojë formën rrethore të vetëmbyllur të Tulou, kisha formon një formë përqafuese, e cila paraqet botën e jashtme me një peizazh të kontrolluar, por mikpritës në fushën e saj të brendshme, të shënuar nga simboli i besimit të krishterë, kryqi”.

Për sa i përket sallës kryesore, ajo mban 1 mijë e 200 njerëz dhe është e ndriçuar nga një dritare e madhe ngjyrë blu e bërë nga 107 mijë e 707 copa të pjesshme qelqi me njolla në lidhje me kishat e krishtera historike.

Moench ka shpjeguar se “elementi i krishterë theksohet brenda hapësirës së shenjtërores…ajo është e mbyllur nga një fasadë që përmban një total prej 1 mijë e 412 metra katrorë qelqi me njolla tradicionale duke përqafuar kështu një traditë të lashtë”.

Ai vazhdon se për këtë traditë të lashtë “veçanërisht brezat e rinj të të krishterëve kinezë janë të etur për t’i rizbuluar dhe ri-interpretuar brenda kontekstit të tyre bashkëkohor”.

Për mbështjelljen e kishës nga xhamat e shumtë ngjyrë blu, drejtori i Inuce thotë se “ngjall në sytë e spektatorëve përshtypjen e zhytjes në fund të oqeanit dhe rrethimin nga ujërat blu”.

Moench shprehet se “errësira absolute mposhtet dhe shpërndahet nga një atmosferë drite hyjnore që vjen nga sipërfaqja, pikërisht mbi vendin e shenjtë…imazhi na tregon se edhe në momentet më të errëta të jetës sonë, kur ndiejmë dëshpërim dhe izolim nga bota e jashtme, nuk jemi të privuar nga shpresa”.

Ai shpreson se shenjtorja tanimë e përfunduar, do të ndihmojë vendasit për të çuar më tej krishtërimin përkrah trashëgimisë së krishterë vendase ende të rrënjosur thellë në kulturën dhe identitetin kinez vendas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore