Lajme

Kinë – të dhënat nga testet para lindjes “në duart” e gjigantit kinez


Një kompani kineze gjenesh që shet teste prenatale (para lindjeve) në të gjithë botën, po i përdor ato për të mbledhur të dhëna gjenetike nga miliona gra për kërkime gjithëpërfshirëse mbi tiparet e popullatave.

Reuters e zbuloi këtë në përmbledhjet e letrave shkencore dhe deklaratave të ndërmarrjeve.

Këshilltarët qeveritarë të SHBA-ve paralajmëruan në muajin mars se një bankë e të dhënave gjenomike, BGI Group, po i grumbullon dhe i analizon të dhënat përmes inteligjencës artificiale.

Kjo mund t’i japë udhë zhvillimit ekonomik dhe ushtarak të Kinës. Ndërsa shkenca përcakton lidhje të reja midis gjeneve dhe tipareve njerëzore, qasja në grupin më të madh dhe më të larmishëm të gjenomeve njerëzore është një avantazh strategjik.

Teknologjia mund ta shtyjë Kinën drejt një dominimi të farmaceutikës globale.

Kjo gjithashtu mund të çojë në ushtarë të përmirësuar gjenetikisht, ose patogjenë të inxhinieruar për të synuar popullatën e SHBA-ve ose furnizimin me ushqim, thanë këshilltarët.

Shkëmbimet me BGI-në

Reuters zbuloi ndër të tjera se testi prenatal i BGI-së, një nga më të njohurit në botë, është një burim i të dhënave gjenetike për kompaninë, e cila ka punuar me ushtrinë kineze për të përmirësuar “cilësinë e popullsisë” dhe në kërkimin gjenetik për të luftuar humbjen e dëgjimit dhe sëmundshmërinë te ushtarët.

BGI-ja thotë se ruan dhe ri-analizon mostrat e mbetura të gjakut dhe të dhënat gjenetike nga testet para lindjes, të shitura në të paktën 52 vende për të zbuluar anomali të tilla si sindroma Down në fetus.

Deri më tani, më shumë se tetë milionë gra kanë përdorur testet prenatale të BGI-së globalisht. BGI-ja nuk ka zbuluar se sa nga gratë morën testin jashtë vendit dhe tha se ruan vetëm të dhëna për vendndodhjen e grave në Kinë.

Të dhënat e ADN-së të mbledhura nga testet para lindjes mbi gratë jashtë Kinës janë ruajtur gjithashtu në bazën e të dhënave të gjeneve të financuara nga qeveria e Kinës, një nga më të mëdhatë në botë, konfirmoi kompania.

Reuters nuk gjeti prova që BGI-ja të shkelte marrëveshjet ose rregulloret e privatësisë së pacientit. Sidoqoftë, politika e privatësisë në faqen e internetit të testit ‘NIFTY’ thotë se të dhënat e mbledhura mund të ndahen kur ato janë “drejtpërdrejt të rëndësishme për sigurinë kombëtare ose sigurinë e mbrojtjes kombëtare” në Kinë.

Pekini e bëri të qartë në një rregullore të vitit 2019 se të dhënat gjenetike mund të jenë një çështje e sigurisë kombëtare dhe që nga viti 2015 ka kufizuar studiuesit e huaj që të kenë qasje në të dhënat e gjeneve për shtetasit kinezë.

Siguria kombëtare

Shtetet e Bashkuara dhe Britania u japin studiuesve të huaj akses në të dhënat gjenetike, si pjesë e politikave të hapura të shkencës.

BGI-ja tha në një deklaratë se “asnjëherë nuk është kërkuar të sigurojë – e as nuk ka siguruar – të dhëna nga testet e saj ‘NIFTY’ tek autoritetet kineze për sigurinë kombëtare ose për qëllimet e mbrojtjes së sigurisë kombëtare”.

Kompanitë e tjera që shesin teste të tilla para lindjes gjithashtu ripërdorin të dhëna për kërkime. Por asnjë nuk operon në shkallën e BGI-së, thonë shkencëtarët dhe eticistët, ose nuk kanë lidhje të BGI-së me qeverinë ose me ushtrinë kombëtare.

Gjetjet ofrojnë një pasqyrë të re se si BGI-ja po përdor fuqi të madhe llogaritëse për të zhbllokuar sekretet gjenomike.

Më herët, Reuters zbuloi se si kompania zgjeroi me shpejtësi laboratorët e saj të sekuencave të gjeneve globalisht dhe fitoi një rol në sistemet shëndetësore të kombeve të tjera.

Jo vetëm kjo, por edhe se si ajo punoi me ushtrinë kineze për kërkime duke filluar nga testimi masiv për patogjenët e frymëmarrjes deri te shkenca e trurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore