Biznes

Kina u kundërpërgjigjet sanksioneve amerikane të çipave


Kina është kundërpërgjigjur ndaj kontrolleve gjithëpërfshirëse të eksporteve të SHBA-ve për çipat.

Për këtë ka ngritur një ankesë për Organizatën Botërore të Tregtisë, duke përshkallëzuar luftën teknologjike mes dy vendeve.

Ministria kineze e Tregtisë ka njoftuar se ankesa është një masë ligjore dhe e nevojshme për të mbrojtur “të drejtat dhe interesat e saj legjitime”.

E gjitha pasi Departamenti amerikan i Tregtisë ka vendosur sanksione në fillim të tetorit për ta bërë më të vështirë për Kinën blerjen ose zhvillimin e gjysmëpërçuesve të avancuar.

“Së paku, çështja ka të bëjë me tërheqjen e Kinës se si perceptohet si një aktor i padrejtë në botën tregtare globale”, ka thënë eksperti Ben Kostrzewa.

Sakaq, ankesa është hapi i parë në një proces ndërmjetësimi të organizatës, në të cilin çështja do të vihet përpara Organit të Apelimit.

Por ai organ është pezulluar për shkak të mosmarrëveshjeve midis shteteve anëtare dhe Kostrzewa ka thënë se ankesa e Kinës nuk ka gjasa “të krijojë ndonjë efekt ligjor” nëse grupi nuk rifillon punën.

Ndërkohë, kjo lëvizje vjen disa javë pasi presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij kinez Xi Jinping përdorën takimin e tyre të parë si liderë për të sinjalizuar një dëshirë të përbashkët për të përmirësuar lidhjet midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Po ashtu ankesa vjen disa ditë pas një vendimi historik në të cilin një panel i organizatës mbështeti Pekinin kundër Washington-it.

Në një raport të saj të botuar më 9 dhjetor, SHBA-të nuk ishin të justifikuara të argumentonin se tarifat e administratës së Donald Trump të vitit 2018 ishin të nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare.

Kontrollet e eksportit kishin për qëllim pengimin e aftësisë së Kinës për të përdorur teknologjinë e nivelit të lartë amerikan për aplikime ushtarake.

Këto masa pengojnë kompanitë amerikane të eksportojnë teknologji në grupet kineze të angazhuara në prodhimin e çipave të nivelit të lartë në pothuajse çdo pajisje moderne.

Kontrollet e tronditën zinxhirin global të furnizimit të gjysmëpërçuesve kur u zbuluan, duke kërcënuar të prishnin dekada të investimeve në Kinë nga grupet më të mëdha të teknologjisë në botë.

Dhe që nga marrja e pushtetit në vitin 2012, Xi e ka vënë në qendër të agjendës së tij ekonomike çlirimin e Kinës nga varësia nga çipat e huaj.

Pekini rriti shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin për të kundërshtuar atë që e ka përshkruar si një “bllokadë” në industrinë e tij të teknologjisë.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore