Lajme

Kina rithekson mbështetjen ndaj Ukrainës, por shmang ndihmën ushtarake


Kina miratoi vërejtjet e bëra nga ambasadori i saj në Ukrainë të enjten, pasi diplomati kinez u zotua për mbështetjen politike dhe ekonomike të Pekin-it për vendin e shkatërruar nga lufta.

“Kina mbështet absolutisht vërejtjet e bëra nga ambasadori”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian, në një konferencë të rregullt për shtyp.

“Kina mbështet të gjitha përpjekjet që janë të favorshme për lehtësimin e situatës në Ukrainë dhe një zgjidhje politike. Madje është e gatshme të bëjë pjesën e saj për të kapërcyer krizën humanitare”, shtoi ai.

Por, në shenjë të përpjekjes së mundshme të Pekinit për të luajtur me të dyja palët, Zhao nuk pranoi të thoshte nëse mbështetja e Pekin-it për komentet e ambasadorit të tij do të thotë se Kina nuk do t’i ofrojë armë apo ndihmë të tjera Rusisë për të mbështetur pushtimin ushtarak në Ukrainë.

“Ky është interpretimi juaj”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari mbi këtë temë.

“Kina ka bërë deklarata të përsëritura. Nuk ka asnjë arsye që ju të bëni një lidhje të tillë”.

Fan Xianrong, ambasadori kinez në Ukrainë, u zotua për mbështetjen e Pekin-it dhe lavdëroi popullin ukrainas në një takim në Lviv të hënën, sipas një njoftimi për shtyp nga qeveria rajonale.

“Kina do të jetë gjithmonë një forcë e mirë për Ukrainën si ekonomikisht, edhe politikisht”, u citua t’i ketë thënë Fan Maksym Kozytsky, kreut të administratës rajonale në Lviv.

“Kina nuk do ta sulmojë kurrë Ukrainën. Ne do të ndihmojmë veçanërisht ekonomikisht”.

“Në këtë situatë që keni tani, do të veprojmë me përgjegjësi. Ne kemi parë se sa i madh është uniteti i popullit ukrainas dhe kjo do të thotë fuqia e tij”, vazhdoi ai, duke shtuar se ambasada kineze ishte zhvendosur nga Kievi në Lviv dhe do të qëndronte atje për momentin.

Që nga pasditja e së enjtes, komentet e Fan-it nuk ishin raportuar nga media shtetërore e Kinës, e cila kryesisht ka raportuar pikat e bisedës së Kremlinit që nga fillimi i pushtimit rus.

Të martën, ambasadori i Kinës në SHBA, Qin Gang, botoi një shkrim në “Washington Post”, duke përsëritur se Pekin-i dëshironte të shihte një fund të konfliktit në Ukrainë dhe duke hedhur poshtë “thashethemet” se “Kina dinte, pranoi ose mbështeti në heshtje luftën”.

“Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës nuk i bën mirë Kinës. Sikur Kina të dinte për krizën e afërt, ne do të kishim bërë më të mirën për ta parandaluar atë”, shkroi Qin.

Komentet e tij pasuan pohimet e zyrtarëve të inteligjencës amerikane se Rusia i kishte kërkuar Kinës mbështetje ushtarake në Ukrainë. Pekini dhe Moska i kanë mohuar pretendimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore