Lajme

Kina/ Pavarësia e Tajvanit do të thotë luftë


Qeveria kineze ashpërsoi gjuhën e saj ndaj Tajvanit. Ajo ka paralajmëruar, pas aktiviteteve të fundit ushtarake pranë ishullit, se “pavarësia do të thotë luftë”.

Gjithashtu ka paralajmëruar se forcat e tyre të armatosura po ndërmerrnin veprime për t’iu përgjigjur provokimit dhe ndërhyrjeve të huaja.

Tajvani, i pretenduar nga Kina si territori i saj, raportoi shumë avionë luftarakë dhe bombardues kinezë që hynë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore gjatë fundjavës. Aktivitet ky, që ka shkaktuar shqetësim në Washington.

Qeveria Popullore Kineze (PRC) beson se qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike e Tajvanit po e dërgon ishullin drejt një deklaratë zyrtare të pavarësisë.

Presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen, ka thënë vazhdimisht se ata janë tashmë një vend i pavarur, i quajtur me emrin e tij zyrtar, Republika e Kinës.

I pyetur në një konferencë mujore për lajmet rreth aktiviteteve të fundit të forcave ajrore, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kineze, Wu Qian, tha se Tajvani është një pjesë e pandashme e Kinës.

“Aktivitetet ushtarake të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Popullit Kinez në ngushticën e Tajvanit janë veprime të nevojshme për të adresuar situatën aktuale të sigurisë në ngushticën e Tajvanit dhe për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë kombëtare”, tha ai.

“Ata janë një përgjigje solemne ndaj ndërhyrjeve të jashtme dhe provokimeve nga forcat e pavarësisë së Tajvanit”.

Inkursionet kineze përkuan me një flotë amerikane që hyri në Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore për të promovuar “lirinë e deteve”.

Wu tha se një “grusht” njerëz në Tajvan po kërkonin pavarësinë e ishullit.

“Ne paralajmërojmë ata elementë të ‘Pavarësisë së Tajvanit’, ata që luajnë me zjarrin do të digjen vetë. ‘Pavarësia e Tajvanit’ do të thotë luftë”.

Përpjekjet për frikësim

Tajvani Demokratik ka denoncuar kërcënimet dhe përpjekjet e Kinës për presion.  Presidentja Tsai është zotuar ta mbrojë lirinë e ishullit.

Kina përshkruan në mënyrë rutine Tajvanin si çështjen e saj më të rëndësishme dhe të ndjeshme në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Nën ish administratën e Trump-it rritën mbështetjen për ishullin në drejtim të shitjeve të armëve dhe zyrtarët e lartë të USA vizituan Taipein.

Qeveria e presidentit Joe Biden, në detyrë për një javë, ka riafirmuar angazhimin e saj ndaj Tajvanit si “i fortë”, duke rritur potencialisht tensione të mëtejshme me Pekinin.

Të mërkurën, Sekretari i Shtetit i SHBA-së ,Antony Blinken, ripohoi angazhimin e Washingtonit për mbështetjen e kombeve të Azisë Juglindore në një mosmarrëveshje të gjatë me Kinën mbi sovranitetin në Detin e Kinës Jugore.

Blinken “u zotua të qëndrojë me pretenduesit e Azisë Juglindore përballë presionit të PRC”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në një deklaratë, duke iu referuar Kinës me emrin e saj zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore