Lajme

Kina drejt një kulmi prej “36 mijë vdekjesh në ditë” nga COVID-i


Presidenti kinez Xi Jinping u shfaq në një spital provincial i angazhuar në betejën për të shpëtuar pacientët me COVID.

Jo personalisht, nëpërmjet lidhjes video.

Ai i pranoi vështirësitë, “stresin e parandalimit dhe kontrollit” se nuk mund ta mohonte kritikën e momentit, duke qenë se foli me mjekë dhe infermierë që janë në vijën e parë prej më shumë se një muaji.

Por ai siguroi menjëherë se “drita e agimit është para, këmbëngulja është fitore”.

Pas parullave të zakonshme, shpjegoi se cili është alarmi kryesor i kësaj “faze të re”, siç e përcaktojnë autoritetet për të mos folur për një krizë shëndetësore dhe humanitare.

“Unë jam veçanërisht i shqetësuar për zonat rurale, për pajisjet e tyre relativisht të dobëta mjekësore, jam në ankth për fermerët tanë dhe të moshuarit”.

“Prej ditësh, epidemiologët e Pekinit kanë vërejtur se pas kalimit të valës së parë të infektimeve në qytetet e mëdha, fronti po zhvendoset në fshat, ku kujdesi shëndetësor është më pak i pajisur”.

Stacionet hekurudhore e të autobusëve dhe aeroportet janë plot këto ditë. Eksodi i madh nga qytetet drejt fshatit është duke u zhvilluar për festimet e Vitit të Ri Hënor, i cili është të dielën më 22 janar.

Miliona punëtorë kinezë po kthehen në fshatra dhe qytete në zonat rurale ku i presin të afërmit dhe familjet, të cilët presin t’i përqafojnë prej tre vitesh tashmë.

Nga ana tjetër, konsiderohet si një ngjarje “super-përhapëse” që mund të përshpejtojë qarkullimin e virusit .

Sakaq, Xi urdhëroi industrinë farmaceutike vendase të rrisë prodhimin e ilaçeve dhe pajisjeve.

Fushata e administratës është prapa, viktimë e politikës zero-COVID  që u fokusua veç te bllokimet dhe karantina për të mbajtur rastet e infektimeve të pakta.

Prapa ka mbetur edhe efikasiteti i vaksinave të prodhuara atje. Ato të zhvilluara në Perëndim nga Moderna dhe Pfizer japin mbulim më të madh.

Por Pekini i ka refuzuar ofertat e vaksinave të huaja.

Po ashtu industria kineze është urdhëruar nga qeveria të punojë për një vaksinë të re mRNA.

Gjithsesi, edhe nëse do të arrihej një marrëveshje bashkëpunimi farmaceutik me Pekinin, furnizimet dhe administrimi i dozave do të arrinin shumë kohë pas valës së infektimeve në fshatrat kineze.

Ndërkohë, projeksioni i fundit i Airfinity – një institut i analizave epidemiologjike me qendër në Britaninë e Madhe – pretendon se piku i vdekjeve do të rritet në 36 mijë në ditë menjëherë pas lëvizjeve të mëdha në territor për festimet e Vitit të Ri Hënor.

Airfinity dhe shumë institute të tjera kërkimore epidemiologjike argumentojnë se që nga dhjetori, viktimat në Kinë nuk mund të kenë qenë më pak se 600 mijë, dhjetë herë më shumë se numri i vdekjeve të regjistruara nga qeveria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore