Lajme

Kica: Haxhiu del si njeriu më i papërgjegjëshëm i fjalës publike – rasti në IML është i frikshëm


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, djegien e zyrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) të martën e ka quajtur “tmerr i tmerrit”.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për ndryshim të deklaratave lidhur me rastin e vdekjes së ish aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

“Pasi që ato dëshmi u vodhën e u kthyen, brenda mandatit të kësaj qeverie”.

“Pasi që pas shumë vitesh që Haxhiu pretendonte se kush janë fajtorët, tani del si njeriu më i papërgjegjshëm i fjalës publike e pozitës së saj e deklaron se “PO TA DIJA KUSH, do ta thoja para shumë vitesh”. Tash iu kujtua, domethënë, që nuk e di? Çka ndodhi Ministre? Amnezi?”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, një veprim i tillë “është i frikshëm”.

“Kjo ngrit dyshime e frikë të një përfshirjeje tejet të rrezikshme të pushtetit në këtë rast”.

“Kjo që ndodhi është thënë më së buti katastrofë. Nuk di e nuk mund të kujtoj asgjë më skandaloze se një keqmenaxhim të tillë të Institutit që RIKUJTOJMË: OPERON në kuadër të MINISTRISË SË DREJTËSISË dhe operon me USHTRUES DETYRE qe sa kohë”.

Ajo ka kërkuar që ky alarm të mos ndalet.

“Kjo nuk është KOSOVË e demokracisë e sigurisë. Kjo Kosovë ndjell pasiguri të skajshme”.

Edhe ish ministri i Shëndetësisë njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar lidhur me zjarrin që ka përfshirë mëngjesin e kësaj të marte dy zyra në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Zemaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka krahasuar kaplimin e zjarrit me heshtjen e ministrave të cilët i ka quajtur “të paaftë”.

“Zjarri ka kapluar QKUK-në, kurse heshtja ministrat e paaftë të qeverisë së mashtrimit”.

“Para pak kohësh zjarri përfshiu Shërbimin Emergjent në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së, ku pati edhe një viktimë e brenda pak kohëve, tash e disa herë digjet Instituti i Mjekësisë Ligjore. Tmerr! Përgjegjësi. Dorëheqje”, ka shkruar ai në Facebook.

Albanian Post me burime brenda Institutit ka kuptuar se zyrat që janë djegur nga flakët janë ato të ish-drejtorit Arsim Gerxhaliu dhe zëvendës-drejtorit aktual Ditor Halitit.

Këto dy zyra përbëjnë edhe dy dhomat kryesore brenda institutit.

Kjo s’është hera e parë që po digjet një pjesë e IML-së në këtë vit.

Në muajin mars objekti i IML-së ishte përfshirë nga flakët gjithashtu.

Atëherë dyshohej se shkaktar ishte defekti në instalimin elektrik, por kurrë s’u vërtetua.

Në IML ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve dhe rasteve që janë nën hetim.

Nga Policia e Kosovës, kanë konfirmuar se nuk ka persona të lënduar dhe se ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Kjo është hera e dytë brenda vitit që IML-ja përfshihet nga flakët.

Albanian Post kupton se në IML u dogjën dy zyrat kryesore – Kush/Çka ia vuri flakën Institutit të Mjekësisë Ligjore?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore