Lajme

KGJK-ja kërkon rishikimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve


Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJ).

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore.

Sipas këtij institucione, nuk mund të iniciohet asnjë rast për ndonjë gjyqtar, pa marrë rekomandimin e autoriteteve përkatëse.

Zëvendëskryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Qerim Ademaj ka theksuar nevojën e ndryshimit të Ligjit për Përgjegjësinë Displinore.

“Këshilli nuk ka mundësi që vet të iniciojë rast sipas detyrës zyrtare. Është vlerësim i anëtarëve kompetentë, në këtë rast të kryetarëve, që në këtë rast me iniciativën e çfarëdo subjekti që ka mundësi me hap rast para gjykatës për një rast të caktuar dhe ta referojë rastin në Këshill Gjyqësor, në ato raste kur pretendon se ka shkelje të Kodit të Etikës, apo shkelje të tjera që lidhen me disiplinimin e gjyqtarëve”, deklaroi Ademaj.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione

Por, me këtë nuk janë pajtuar anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ku thanë se në rastet kur janë marrë vendime skandaloze nga ndonjë gjyqtar, nuk ka pasur reagim publik nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka diskutuar edhe për vendimet e gjykatave në trajtimin e rasteve në baza gjinore dhe dhunë në familje.

Ai shtoi se, “mbi këtë bazë ne kemi pasur diskutim edhe me Ministrinë e Drejtësisë edhe e kemi parë të nevojshme që në të ardhmen të rishikohet Ligji për disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që eventualisht me plotësim-ndryshim me pas mundësinë vet Këshilli sipas detyrës zyrtare të iniciojë raste”, ka thënë ai.

Për këtë ka reaguar anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami i cili deklaroi se me ndryshimet e fundit të këtij ligji Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i takon kjo kompetencë.

Zëvendëskryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, para anëtarëve të komisionit është shprehur se gjuha e përdorur në marrjen e vendimeve në rastet e dhunimit seksual, është e papranueshme.

“Çfarëdo gjuhe ofenduese edhe e papërshtatshme në arsyetim të vendimeve, nuk është e pranueshme për Këshillin. Për shkak se çdo vendim duhet të jetë i bazuar mbi bazën e provave dhe fakteve edhe kërkesave ligjore”.

Nënkryetarja e këtij komisioni, Tinka Kurti ka qenë kritike për veprimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Tashmë i keni disa mekanizma që nuk jam e sigurt që i keni përdorur. Ligji nuk ju ndalon që ju me dalë me një deklaratë pasi ta shihni një vendim skandaloz. Ligji nuk ju ndalon të paktën me u përgjigj ndaj mediave, ligji nuk ju ndalon t’i dëgjoni thirrjet e shoqatave për mbrojtjen e grave, shoqatat që po merren me monitorimin e drejtësisë dhe të gjitha shifrat publike”.

Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka thënë se në këto raste nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën e përdorur, por edhe për ndikimin që ka tek viktimat.

“Problemi kryesor nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën që përdoret. Në shumë raste ka edhe vendime që janë të lëshuara me shkresë të kësaj gjuhe, ku dihet shumë mirë që mbetet në dosjen e personit në fjalë. Dhe kjo ka ndikim direkt në jetën e tyre”.

“Nuk po flasim vetëm te gjuha që përdoret dhe ajo që duhet të largohet, sidomos te pjesa e viktimës këto raste që i kemi parë. Shkon përtej përdorimit të gjuhës”, u shpreh Bogujevci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore