Lajme

KFOR-i thotë se situata në Kosovë është e brishtë, refuzon të përgjigjet për raportimet e Kurtit


KFOR-i.

Pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, edhe misioni i NATO-s në Kosovë KFOR-i e ka vlerësuar situatën e sigurisë si të qetë aktualisht por të brishtë.

Ndërsa, ka thënë se janë duke monitoruar zhvillimet e sigurisë.

“KFOR-i ka një prani fleksibil dhe të dukshme në mbarë Kosovën – gjë që i mundëson misionit tonë të monitorojë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’iu përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurt”, tha KFOR-i për Radio Evropën e Lirë.

Të pyetur për lëvizjet e pazakonta të Ushtrisë apo Policisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën, ky mision mbrojtës ka refuzuar të përgjigjet.

Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, tha se autoritetet kosovare kanë vërejtur se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut. dhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”.

Kurti, ndër të tjera ka potencuar se autoritetet kosovare janë duke vëzhguar me kujdes mos ushtria e Serbisë do të përpiqet të kalojë kufirin.

Edhe, Bullgaria pritet të dërgojë një kontingjent prej 100 ushtarakëve në Kosovë në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Muajin e kaluar është bërë një vit prej se Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve e cila, mes tjerash, parasheh respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale por zbatimi i saj ka ngecur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore