Film

Kevin Spacey udhëtim drejt MB-së, do të përballet me akuzat për abuzim seksual


Aktori Kevin Spacey do të udhëtojë vullnetarisht drejt Mbretërisë së Bashkuar për t’u përballur me akuzat për abuzim seksual.

Vetë ai ka pohuar se është i bindur se mund të provonte pafajësinë në lidhje me pesë akuza për abuzimet e supozuara kundër tre burrave në Angli.

Bëhet fjalë për vitet 2005 dhe 2013.

Nëse ai nuk do të kishte vendosur të udhëtonte vullnetarisht, do të duhej të nisnin procedurat formale të ekstradimeve për të siguruar kthimin e tij.

“E vlerësoj shumë deklaratën e Prokurorisë së Kurorës, në të cilën ata u kujtuan me kujdes mediave dhe publikut se kam të drejtën e një gjykimi të drejtë, derisa të provohet e kundërta”, ka deklaruar ai.

“Por jam i zhgënjyer me vendimin e tyre për të ecur përpara, do të paraqitem vullnetarisht në Mbretërinë e Bashkuar sa më shpejt që të jetë e mundur dhe do të mbrohem kundër këtyre akuzave, të cilat jam i bindur se do të provojnë pafajësinë time”, ka shtuar.

Spacey nuk mund të akuzohet zyrtarisht nëse nuk kthehet në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndjekja e një ekstradimi zyrtar mund të zgjasë disa muaj.

Të autorizuara nga Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës javën e kaluar, akuzat kanë të bëjnë me sulme të dyshuara në Londër dhe Gloucestershire.

Kater për sulm seksual dhe një për detyrimin e një personi për t’u përfshirë në aktivitet seksual pa pëlqim.

Dy akuza për sulme seksuale në Londër në mars 2005 kanë të bëjnë me një ankues, një burrë që tani është rreth të dyzetave.

Një tjetër ka të bëjë me një ankues të dytë, burrë që tani është në të tridhjetat, në Londër në gusht 2008.

Akuza e autorizuar për detyrimin e një personi për t’u përfshirë në aktivitet seksual pa pëlqim lidhet gjithashtu me ankuesin e dytë.

Kurse akuza përfundimtare është për sulm seksual ndaj një ankuesi të tretë, një burrë që tani është në të tridhjetat, në Gloucestershire në prill 2013.

Akuzat, për të parën herë, u ngritën publikisht në tetor 2017, teksa lëvizja #MeToo u rrit. Kështu, në muajin pasardhës policia nisi hetimet.

Më herët, Spacey i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij.

Ai ka qenë drejtor artistik i teatrit “Old Vic” në Londër nga viti 2004, deri në vitin 2015 dhe ka fituar dy çmime “Oscar”.

Kur u ngritën akuzat, Spacey u zhduk kryesisht nga publiku.

Por, vitin e kaluar u raportua se ai kishte marrë një rol të vogël si detektiv në një dramë kriminale italiane për një burrë të dyshuar gabimisht për abuzim ndaj fëmijëve.

Një trailer për filmin e tij të ri, “Peter Five Eight”, u prezantua në festivalin e filmit në Kanë këtë javë.

Ky do të jetë roli i tij i parë i madh që kur janë shfaqur akuzat kundër tij.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore