Sport

Kessie është lojtar i Barcelonës


Ashtu edhe siç pritej, futbollisti i Milan-it, Franck Kessie, ka kompletuar transferimin te Barcelona.

Ai përfundoi me sukses testet mjekësore në Lugano gjatë ditës së djeshme (e hënë) dhe kështu do të bëhet lojtar i Barcelonës në fund të sezonit, pasi t’i mbarojë kontrata me Milan-in.

Kessie tashmë kishte arritur marrëveshje me klubin spanjoll për një pagë prej 6.5 milionë euro në sezon.

Në fakt, siç raportohet në mediat italiane, rrogë afërsisht të njëjtë ia kishte ofruar edhe Milan-i, por Kessie ishte i ndikuar nga agjenti i tij, i cili thuhet se përfitoi një shumë rreth 10 milionë euro nga ky transferim.

Pra, Kessie do të largohet nga Milan-i pas pesë vitesh, që kur u bashkua në verën e vitit 2017 nga Atalanta për shumën e 32 milionë eurove.

Gjatë kësaj kohe, futbollisti nga Bregu i Fildishtë ka zhvilluar 215 ndeshje në të gjitha garat me fanellën kuqezi, prej të cilave ka realizuar 38 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore