Kosova

Këshilltarja e Ramës: Po të ishte në dorën time, e shfuqizoja ligjin për Dhomat e Specializuara


Këshilltarja e kryeministrit shqiptar Edi Rama, Silda Anagnosti, deklaroi se Kosova duhet të bëjë një konsultim publik për shfuqizimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

Lajmi u bë i ditur gjatë një diskutimi të hapur, organizuar nga Instituti i Studimeve Sociale dhe Humane.

“Ky ligji nuk funksionon, nuk është në të mirën e Kosovës, nuk është në respektimin e të drejtave të njeriut të këtyre liderëve të arrestuar. Kosova aty është, aty i ka njerëzit, le të bëhet një konsultim publik. Po të ishte në dorën time, do ta kisha shfuqizuar fare atë ligjin”, deklaroi fillimisht Anagnosti.

Në takim morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe përfaqësues të ekipit të mbrojtjes pranë Dhomave të Specializuara dhe të institucioneve zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës.

“E zëmë se përfundon gjyqi, për një muaj apo për një vit, por çfarë pasojash politike edhe për legjitimetin e Kosovës si shtet ajo që do dalë nga ky vendim i gjyqit. Kjo duke pasur parasysh që goditet UÇK-ja, si organizata kryesore ose e vetme që solli Pavarësinë e Kosovës si shtet”, vijoi zyrtarja shqiptare.

Sipas saj, duhet menduar mirë se çfarë do të ndodhë pas marrjes së këtij vendimi.

Anagnosti shtoi se ky ligj, që është bërë për Gjykatën Speciale, po sjell një problematikë të jashtëzakonshme për respektimin e të drejtave të njeriut te personat që janë akuzuar.

Fillimisht, pasi është cenuar maksimalisht procesi i rregullt ligjor.

Ligji, nënvizon këshilltarja, nuk është shkruar i qartë (ose të mos bësh asgjë dhe të thuash që nuk e parashikon ligji, ose të përpiqesh të interpretosh gjithë kuadrin ligjor të shtetit për të arritur në një pikë që dëshiron).

“Në momentin që thuhet që afatet e paraburgimit janë të papërcaktuara në ligj, Kosova ka disa afate te ligjet e tjera. Pse nuk apelohet diku tjetër? Nëse kemi të bëjmë me një gjykatë hibride, le të bëjmë disa procese hibride, të gjejmë disa rrugë hibride për ta goditur këtë”, deklaroi më tej Anagnosti.

Në përmbyllje, ajo sqaroi se këtu duhet vullneti politik jo mendja e mprehtë juridike.

Dhomat e Specializuara

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs nё Hagё u themeluan në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Kjo, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, një amendamenti kushtetues, si dhe në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Juridiksioni i Dhomave të Specializuara përfshin krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krime të tjera të parashikuara në legjislacionin e Kosovës, të cilat kanë filluar apo janë kryer në Kosovë ndërmjet 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga ose kundrejt qytetarëve të Kosovës apo Ish-Republikës së Jugosllavisë.

Si të tilla, Dhomat e Specializua Specializuara veprojnë në mënyrë autonome, të pavarur nga organet administrative dhe gjyqësore tё sistemit gjyqësor të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore