Kosova

Këshilltari i Bislimit me mungesë të njohurive bazike për Planin e Zbatimit të Marrëveshjes së Vitit 2013 – nuk e di as çfarë thotë pika 2 për Ekipin Menaxhues të Asociacionit


Klisman Kadriu

Sipas Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013, i vulosur dhe protokolluar me 23 prill të po atij viti, në pikën 2 të quajtur “Asociacioni/Bashkësia” – ku shpjegohet funksioni i Grupit Menaxhues dhe kohëzgjatja e mandatit të tij – thuhet se mandati nuk përfundon as pas formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar këtë Ekip Menaxhues, nën argumentin se tashmë e ka kryer misionin për çfarë është themeluar meqë e ka prezantuar draftin e statutit të këtij mekanizmi, por Plani i Zbatimit i pajtuar nga Kosova, Serbia dhe Bashkimi Evropian flet ndryshe.

“Grupi do të ketë për detyrë të merret me të gjitha çështjet relevante për themelimin e këtij Asociacioni/Bashkësie dhe për një periudhë të përkohshme do të ushtrojë kompetencat e parapara me nenin 4 dhe 6 të Marrëveshjes së Parë”, thuhet në Planin e Zbatimit.

Pra, sipas këtij Plani të Zbatimit, Ekipi Menaxhues nuk do të shpërbëhej as pas themelimit formal të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por do të merrte kompetenca që i ofrojnë nenet 4 dhe 6, deri në konsolidimin e mekanizimit.

Po ashtu, sipas Planit të Zbatimit, ekipi punues do të shpërbëhej vetëm pasi Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ta miratonte statutin e vet nga organet e veta në përputhje me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe ligjet e Kosovës.

Plani i Zbatimit

Çfarë thuhet në nenin 4 dhe 6 të Marrëveshjen e Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve?

Dy nenet (4 dhe 6), siç e përcakton Plani i Zbatimit, që flasin për kompetenca të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për një kohë do t’i barteshin Ekipit Menaxhues. Këto dy nene, përbëjnë edhe nenet kryesore të vetë parimeve për këtë mekanizëm.

“Në përputhje me kompetencat e parapara me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë në ushtrimin kolektiv të kompetencave të tyre përmes Bashkësisë/Asociacionit. Asociacioni/Bashkësia do të ketë vështrim të plotë mbi fushat si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe rural”, thuhet në nenin 4.

Të gjitha këto “kompetenca kolektive” dhe “ushtrimin e tyre” për një kohë do ta bënte Ekipi Menaxhues dhe gjithashtu do të kishte “vështrim të plotë” mbi sektorë si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, e të tjera.

“Bashkësia/Asociacioni do të ketë rol përfaqësues te autoritetet qendror dhe për këtë qëllim do të ketë një përfaqësues në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve. Në përmbushje të këtij rol parashihet funksioni monitorus”, thuhet në nenin 6.

Por, prapë, për një kohë rolin e zyrtarëve të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, do ta mbushte Ekipi Menaxhues, i përbërë aktualisht nga Danijela Vujiçiç [deputete e Kuvendit të Serbisë nga Partia Progresiste Serbe], Jelena Boloviç, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviç.

Këta, do të duhej të jetë në funksion deri në momentin kur të miratohet Statuti dhe të përfundojë themelimi i organeve drejtuese të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në tërësi.

Marreveshja e vitit 2013

Por, me vendim qeveritar ata u liruan nga detyra dhe këtë veprim e protestoi Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian.

Ai, në një konferencë për media të enjten, pasi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, liroi nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, deklaroi se grupi punues ushtron të gjitha kompetencat deri në ngritjen e plotë të këtij mekanizmi.

“Sa i përket vendimit të raportuar të Kosovës për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues, marrëveshjet e dialogut thonë qartë se Ekipi Menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet/adaptohet Statuti i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”, theksoi ai, madje denoncoi Qeverinë e Kosovës për “shkelje të marrëveshjeve të dialogut” të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Prandaj, vendimi për shpërndarjen e Ekipit Menaxhues shkel tekstin dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me Ekipin Menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, pohoi Stano në një konferencë, dy ditë pasi Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është prezantuar në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel.

Megjithatë, nga zyra e kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, kanë hedhur akuza në drejtim të Stanos, duke e qortuar atë për mosnjohje të procesit të dialogut Kosovë-Serbi që ka nisur në vitin 2011.

Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Bislimi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, konsideroi se në mungesë të këtyre njohurive, Stano po e akuzon Kosovën për shkelje të marrëveshjeve.

“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës. Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si përshëmbull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes”, tha Kadiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore