Lajme

Kadiu i reagon BE-së: Qëkur ligjshmëria dhe kushtetutshmëria janë shqetësuese dhe kontribuojnë në eskalim


Klisman Kadiu, këshilltari për media i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit

Klisman Kadiu, këshilltari për media i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, ka reaguar pasi zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, në një konferencë për shtyp të hënën, shprehu sërish shqetësimin për lëvizjet e fundit të autoriteteve të Kosovës.

“Qëkur ligjshmëria dhe kushtetutshmëria janë shqetësuese dhe kontribuojnë në eskalim, ndërsa hapat e mësipërm të Serbisë, nuk përbëjnë element reagimi në formë të ashpër dhe me vendosmëri, e të sanksionohen ato”, ka shkruar ai në Facebook, teksa ka përmendur disa raste ku sipas tij nuk pasur reagim nga BE-ja dhe as sanksione ndaj Serbisë.

“A kanë qenë të koordinuara Mig-at rus të cilët fluturuan në shtator 2021 rreth kufirit të Kosovës nga ana e Serbisë? Po rritja e nivelit të gatishmërisë së ushtrisë në nivelin maksimal, dhe stacionimi i trupave pranë kufirit disa herë në tre vitet e fundit?”, ka pyetur ai.

“Po mungesa e bashkëpunimit për zgjidhje për targat dhe energjinë në dy vitet e fundit? Po barrikadat në fund korrik 2022? Po djegia e veturave të qytetarëve në veri? Po dorëheqja nga institucionet e Kosovës?”, ka vazhduar me pyetje Kadiu.

Kadiu ka akuzuar BE-në se nuk kanë reaguar për sulmet ndaj gazetarëve në Veri dhe rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës e as për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Po refuzimi i marrëveshjeve, më specifikisht planit franko-gjerman dhe mosnënshkrimit të tyre? A kanë qenë të gjitha këto hapa që kanë ndikuar pozitivisht në jetën e qytetarëve dhe kanë kontribuar pozitivisht në normalizimin e marrëdhënieve?”.

Ndërsa BE-ja akuzoi dhe qortoi Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së për operacionet me para të gatshme nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore