Shqipëria

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dënon deklaratat e Metës për Dumanin


Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka reaguar pas deklaratave të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, duke theksuar se deklarime të tilla janë përcjellë me shqetësim.

Duke ofruar mbështetje të plotë për SPAK, KLP bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”, shkruhet në një njoftim zyrtar.

Aty shtohet se çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta.

Në të njëjtën kohë, në përmbyllje, Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush.

Rasti

Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani, ka reaguar sa i takon akuzave të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, se institucioni që ai drejton është i kapur nga politika dhe se vetë Dumani, është takuar me Charles McGonigal, ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, tashmë të dënuar në SHBA për lidhje me Rusinë, fshehje pasurie dhe dokumentesh.

Dumani theksoi se, nuk e ka takuar kurrë Charles McGonigal dhe se gjithçka që thuhet në media është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucionin që ai drejton.

Dumani hedh poshtë deklaratat e Ilir Metës: Nuk e kam takuar kurrë McGonigal

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare”, tha kreu i SPAK.

Ndërkaq, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shpërthyer në një varg akuzash kundrejt Prokurorisë së Posaçme, duke e akuzuar këtë të fundit se është në shërbim të kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Me tone deri në ofenduese, ku bën etiketime si “SPAK-u torollaku”, apo duke thënë se kërkon përballje me kryeprokurorin Altin Dumani, Meta tha se misioni i tij tashmë është të demaskojë gjithë padrejtësitë e bëra nga Prokuroria e Posaçme.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një interviste në emisionin “Opinion”.

Ilir Meta shpërthen me akuza ndaj SPAK-ut

Ai parashtroi se nuk i intereson se në çfarë hetimi është vetë nga SPAK-u, duke e quajtur veten si politikanin më të pastër në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, thotë se i vjen keq që institucioni ka mbrojtur emra si Erion Veliaj në çështjen e inceneratorëve.

Megjithatë, akuzën e vazhdoi duke e quajtur SPAK-un edhe organizatë politike dhe jo një institucion hetimor në vend.

“SPAK është në shërbim kriminal të Edi Ramës. Torollaku se kujton se me këto presione do më ndalojë mua, e duke kapur ndonjë laraskë, do marrë peng Partinë e Lirisë”, shtoi më tej.

Po ashtu, edhe pas reagimit të Dumanit, Meta sërish nuk u ndal me akuza.

Ai e ka etiketuar kreun e SPAK si “kushëririn e Nuredin Dumanit”, vrasësit me pagesë i cili pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë.

“Nuredini vërtet ka bërë vrasjet që ka pranuar vetë, por ky karafil kujton se mund të bëhet vrasës i  suksesshëm i pluralizmit në vend. Gjë që kërkon ta arrijë përmes McGonigalëve apo përmes kapjes së ndonjë laraske apo sufllaqexhiu nga Partia e Lirisë. Ka parë shumë Ilir Meta si ky kushëriri i Nuredinit”.

Meta sulmon sërish kreun e SPAK: Karafili – kushëriri i Nuredin Dumanit – vrasës i pluralizmit

Meta tha se këto fjalë nuk janë kërcënim, por mbrojtje.

“Por unë jam Ilir Meta o super budallenj, o supertarallakë. Të më dërgojë patronazhist e të më thotë ik se i ke punët keq”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore