Shqipëria

Meta sulmon sërish kreun e SPAK: Karafili – kushëriri i Nuredin Dumanit – vrasës i pluralizmit


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagoi sërish me akuza kundër kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani.

Këtë herë duke e cilësuar si “kushëririn e Nuredin Dumanit”, vrasësit me pagesë i cili pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë.

“Nuredini vërtet ka bërë vrasjet që ka pranuar vetë, por ky karafil kujton se mund të bëhet vrasës i  suksesshëm i pluralizmit në vend. Gjë që kërkon ta arrijë përmes McGonigalëve apo përmes kapjes së ndonjë laraske apo sufllaqexhiu nga Partia e Lirisë. Ka parë shumë Ilir Meta si ky kushëriri i Nuredinit”.

Meta tha se këto fjalë nuk janë kërcënim, por mbrojtje.

“Por unë jam Ilir Meta o super budallenj, o supertarallakë. Të më dërgojë patronazhist e të më thotë ik se i ke punët keq”.

Ndërkaq vetëm disa çaste më parë Dumani, në një reagim për mediat ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga ish-presidenti, Ilir Meta.

Ky i fundit u shpreh se sipas të dhënave të tij SPAK ka nisur hetimin për çështjen e CEZ-it pasi Dumani është takuar me Charles McGonigal,  ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, tashmë të dënuar në SHBA për lidhje me Rusinë, fshehje pasurie dhe dokumentesh.

Dumani thekson se, nuk e ka takuar kurrë Charles McGonigal dhe se gjithçka që thuhet në media është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucionin që ai drejton.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare”, tha kreu i SPAK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore