Lajme

Kërkuan ryshfet, prangosen dy mjekë nga Gjilani


Ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një kirurg dhe një anesteziolog në spitalin  Gjilan të shtunën, nën dyshimin se kanë kërkuar ryshfet.

“Prokuroria pas kryerjes së veprimeve operative hetimore, kanë arritur të sigurojnë dyshime të arsyeshme se i dyshuari me profesion doktor/anesteziolog, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje”, ka njoftuar policia.

Po ashtu dyshime të arsyeshme janë siguruar edhe për të dyshuarin e dytë me profesion kirurg, se lidhur me ndërhyrjen kishte marr 300 e 30 euro, ndërsa kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.

Sipas njoftimit, pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale, hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar.

“Nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim personat e dyshuar, ku me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orësh”.

Ndërsa njësitet policore në veri të Kosovës, konkretisht tek ura e Bistricës, kanë ndaluar një automjet të cilin e drejtonte i cili transportonte mallra pa dokumente.

“Gjatë kontrollit të automjetit janë hasur 51 paketime me nga 1 kilogram kafe dhe 33 paketime me 0.70 gram kafe, për të cilat ngasësi i automjetit nuk posedonte dokumente për mallin që transportonte”, thuhet në njoftim.

Sipas procedurave të parapara është bërë pranim dorëzimi i automjetit dhe mallit tek njësitet doganore, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore