Gjykata Speciale

Kërkohet nga mbrojtja e Januzit, Bahtjarit dhe Shalës të dorëzojnë dokumentacionet për situatën financiare


Sabit Januzi, Ismet Bahtjari dhe Haxhi Shala.

Mbrojtja e Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës, është e detyruar të plotësojë dhe të dorëzojë formularët dhe dokumentacionet e nevojshme deri më 12 prill të 2024-së sa i përket situatës së tyre financiare, në rast që synojnë të kërkojnë ndihmë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

Të enjten është caktuar kalendari për hapat e ardhshëm në çështjen gjyqësore ndaj Januzit, Bahtjarit dhe Shalës.

Ekipet mbrojtëse janë të detyruara që të dorëzojnë edhe parashtrimet me shkrim nëse ka ndonjë pengesë në përmbushjen e afatit për dorëzimin e formularëve të nevojshëm.

Mbrojtja e Sabit Januzit, Haxhi Shalës dhe Ismet Bahtjarit kanë paralajmëruar masa juridike ndaj një vendimi që sipas tyre e ka marrë Zyra Administrative të DhSK-së për reduktimin e buxhetit në skemën juridike.

Më 13 shkurt, Dhomat e Specializuara të Hagës i kishin kërkuar Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë ta informojë për statusin financiar lidhur me procesin gjyqësor ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës të cilët akuzohet për pengim të drejtësisë.

Sipas aktakuzës, komandat “Topi” së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia.

“Dëshmitari 1 tha se nëse Shala dhe tjerët sjellin 200 mijë euro, atëherë do të kenë marrëveshje”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu aktakuza përfshin edhe kontakte të shumta telefonike dhe takime personale që kanë ndodhur në periudhën midis 5 dhe 9 prillit 2023.

Sipas aktakuzës, veprimet e Shalës dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë pasuar qëllime “kërcënuese” dhe “shantazhuese” ndaj dëshmitarit, duke synuar, siç pretendojnë nga Specialja, të pengojnë drejtësinë dhe të ndikojnë në dëshminë e tij.

Shala i njohur ndryshe si komandant “Topi”, më 11 dhjetor të 2023-së ishte intervistuar në zyrat e EULEX-it, ndërsa të martën u transferua në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë të Holandës.

Specialja kërkon nga MD-ja informata për pagesën e avokatëve të Bahtijarit, Shalës dhe Januzit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore