Lajme

Kërkesë e shtuar për produkte kundër mushkonjave në rajonet australiane të përmbytura


Australia lindore e shkatërruar nga përmbytjet po përballet me një përhapje të mushkonjave, që ka çuar në rritje të kërkesës për produkte kundër tyre.

Madje, disa dyqane lokale kanë treguar se duhet të furnizohen çdo ditë me to dhe se s’po ja dalin dot.

Ka dy farmaci në qytetin e vogël Deniliquin në jug të Uellsit të Ri Jugor dhe të dyja po përpiqen të plotësojnë kërkesën për produkte kundër mushkonjave.

Deniliquin është një nga dhjetëra qytetet në Uellsin e Ri Jugor nën një paralajmërim aktual për përmbytje. Byroja e Meteorologjisë ka paralajmëruar se lumi Edward mund të tejkalojë nivelet e përmbytjeve të mëdha dhe të arrijë 9.4 metra javën e ardhshme.

Prej së enjtes ka pasur më shumë se 100 paralajmërime aktive për përmbytje në të gjithë Uellsin e Ri Jugor dhe rreth 40 në Victoria.

Ujërat e ndenjur të përmbytjeve, të kombinuara me motin e ngrohtë pranveror, krijojnë kushte ideale për sëmundjet e shkaktuara nga mushkonjat.

Tanya Jakobi, mbikëqyrësja e shërbimit në supermarkete, e ka krahasuar situatën  me mungesat e letrës higjienike të marsit 2020.

Jakobi ka thënë se ata po furnizohen çdo natë. “Aq shpejt sa vijnë, aq shpejt edhe ikin nga rafti”.

“Do të shihni njerëz që nuk blejnë vetëm një produkt, ata mund të blejnë tre produkte të së njëjtit funksion”, ka shtuar ajo.

Eksperti Cameron Webb ka treguar se popullsia e mushkonjave do të rritet ndjeshëm sapo të ngrohet moti.

“Pra, për fat të keq, ujërat e përmbytjeve do të tërhiqen pikërisht në kohën që moti të ngrohet dhe të jetë i përsosur për mushkonjat”, ka thënë ai.

Webb ka rekomanduar që njerëzit në zonat e prekura të përdorin një produkt kundër insektesh, duke aplikuar një shtresë të fortë mbi të gjitha zonat e lëkurës së ekspozuar.

Po ashtu ka sugjeruar që ata të veshin rroba të përshtatshme për të zvogëluar mundësinë për t’u pickuar.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore