Lajme

Kërkesa e Ramush Haradinajt është “dëshirë”, por jo edhe “mundësi” e Shqipërisë


Ramush Haradinaj - Ballina e Pasaportes shqiptare

Ajo çfarë kërkon Ramush Haradinaj, pra që Shqipëria t’ia jep çdo shqiptari që jeton jashta Shqipërisë politike nënshtetësinë, është e pamundur, ka thënë Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Dëshira, sipas Minxhozit, për të shndërruar në realitet kërkesën e ish-kryeministrit të Kosovës ekziston, por mundësitë nuk e ofrojnë realizimin e kësaj dëshire.

“Ka rregulla ndërkombëtare që e bëjnë të pamundur realizimin e këtij procesi”, thotë ai.

Ani pse Shqipëria në procesin e liberalizimit të vizave e mbështetë Kosovën të pajiset me viza, marrja e nënshtetësisë së shqiptarëve të Kosovës përmes Shqipërisë mbetet e pamundur.

“E kuptoj që është një krenari kombëtare, por mbi të gjitha është një domosdoshmëri për të lëvizur lirshëm dhe kjo nuk mund të realizohet përmes Shqipërisë, fatkeqësisht”, shtoi Minxhozi.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi

Minxhozi nënvizon edhe të tjera pengesa politike që e bëjnë të pamundur pajisjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë me pasaporta kuqezi.

Nuk është puna te kapacitetet, BE-ja nuk e pranon që Shqipëria t’ia jep vizat qytetarëve të Kosovës, sepse Kosova e ka shtetin e vet, e ka pasaportën e vet”.

Ndërkohë, Minxhozi shtoi se Kosova së bashku me Shqipërinë do të duhej të ushtronte një presion më të madh ndaj BE-së në lidhje me këtë proces.

“Ne së bashku do të duhej të bëjmë një presion ndaj BE-së që t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës”, përfundoi Minxhozi.

Ndërkohë, Haradinaj, derisa e shtroi këtë kërkesë ndaj Qeverisë së Shqipërisë, ai tha se kjo do të ndikonte në rritjen e fuqisë së shtetit shqiptar.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

“Besoj se në interes të Shqipërisë është shtetësia shqiptare sepse e rrit numrin e pjesëmarrësve në treg në ekonomi. Pra, rritet fuqia e shtetit shqiptar si në planin ekonomik, të sigurisë, ashtu edhe në fushat tjera”, është shprehur Haradinaj.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për AP, se deklarimet e tilla do të ishte më mirë që të bëheshin pasi që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, sepse “aktualisht nuk i kontribuojnë çështjeve të integrimeve evropiane të Kosovës njëkohësisht edhe të Shqipërisë”.

“Këto qëndrime është mirë të bëhen pasi që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së”, u shpreh ai.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala

Sipas tij, “në këtë kohë dhe në këtë fazë deklarimet e tilla mund të cenojnë rrugën e procesit në të cilin ka hyrë Kosova, në arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, dhe me tentimin për të hyrë në BE”.

“Nëse ne do të kishim mundësi që të pajisemi me dokument të shtetit shqiptar, kjo do të krijonte një kaos sa i përket aspektit procedural sepse shteti shqiptar do të kërkonte vazhdimisht që këta qytetarë t’i përgjigjen vazhdimisht ligjeve të tyre”, përfundoi Shala.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, për AP ka thënë se “Kosova nuk e meriton të jetë hapësirë eksperimentale e çështjeve të caktuara”.

Sipas tij, “rrugëtimi drejt familjes evropiane nuk ka alternativë, bashkimi kombëtar është një emocion, i cili duhet të vijë me kohën”.

Eksperti i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu

“Falë faktit se Kosova është produkt i diplomacisë dhe aleatëve të fuqishëm si SHBA-të, Kosova duhet t’i bëjë ballë edhe kësaj katrahure dhe të gjitha këto ide eksperimentale do t’i takojnë të kaluarës”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore