Lajme

“Kërcënimi i Qeverisë për ndalje të pagës është shkelje e të drejtave të njeriut”


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Nga e enjtja e 25 gushtit grevistët e sektorit publik kanë hyrë në grevë të përgjithshme për këtë arsyeje ata po kërcënohen se nuk do të paguhen për orët e humbura të punës.

Bazuar në dokumentin që Ministria e Financave ia ka dërguar grevistëve thuhet se zyrtarët që i janë bashkuar grevës pezullohen nga e drejta për pagesë dhe detyrimi i bindjes për të punuar.

“Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet”, thuhet në dokument.

Rreth këtij vendimi ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut pasi të njëjtit konsiderojnë se kërcënimi i qeverisë për ndalje të pagës është shkelje e të drejtave të njeriut.

“Natyrisht se, nëse ky kërcënim nga qeveria jetësohet do të ishte shkelje e rëndë e Ligjit të Punës dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut për faktin se organizimi dhe veprimi sindikalist është i rregulluar dhe lejohen me ligj. Vetëm shtetet diktatoriale dhe fashiste kanë vepruar kështu ndaj grevistëve”.

Fillimi i grevës nga SBASHK dhe BSPK.

“Nga të gjithë segmentet që kanë filluar grevën apo që do të bëjnë grevë së shpejti, arsimi është më i ndjeshmi dhe më kërcënuesi. KMDLNj është deklaruar shumë herë se greva është mjet i skajshëm apo i fundit i një veprimi sindikalist”.

Këshilli ka theksuar se këto sindikata vazhdimisht janë shpërfilluar nga pushteti.

“Në mungesë të vullnetit, në radhë të parë të qeverisë, që përmes dialogut me sindikata të gjej zgjidhje sipas kërkesës së sindikatave apo, si zgjidhje kalimtare të jetë një marrëveshje e afatizuar, dy palët kundërshtuese janë barikaduar duke mos ofruar asnjë zgjidhje”, thuhet në reagim.

Ndërkaq KMDLNJ ka apeluar tek Qeveria që “t’i ulë armët e kërcënimet dhe të gjejë një zgjidhje bashkë me sindikatat”.

Gjithashtu, ka ftuar sindikatat që të përpiqen t’i shmangen grevës së përgjithshme deri në shterjen e të gjitha mundësive.

Sindikata e Bashkuar, Arsimit dhe Shkencës dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në ditën e parë të Grevës së Përgjithshme kanë vizituar çerdhen “Yllkat”.

Me këtë rast Jasharaj, tha se greva nuk do të përfundoj pa u përmbushur të gjitha kërkesat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore