Lajme

Kërcënim me bombë në aeroportin e Prishtinës, evakuohen udhëtarët


Aeroporti “Adem Jashari”

Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Adem Jashari, Valentina Gara, ka bërë të ditur se kanë pranuar kërcënim me bombë në aeroport të hënën e 6 shkurtit.

Gara lajmin e ka kumtuar përmes një komunikate për media në rrjetin social ‘Facebook’, ku ka theksuar se udhëtarët dhe personeli janë larguar nga kjo pjesë.

“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar. Ekipet emergjente janë involvuar në detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara”, ka shkruar Gara.

Alarme të ngjashme në Aeroportin e Prishtinës për bombë ka pasur edhe në të kaluarën.

Alarmi i fundit ka qenë në muajin dhjetor, i cili ka rezultuar të jetë i rrejshëm, prandaj si rrjedhojë i njëjti ishte leshuar për qarkullim nga Policia e Kosovës.

“Pas përfundimit të kontrollit dhe punëve nga institucionet relevante, funksionimi dhe qarkullimi në aeroport i është kthyer normalitetit, andaj  i falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar me institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e Policisë.

Gjatë muajit maj të vitit 2022 Kosova u përballë me një varg kërcënimesh, të cilat rezultuan të jenë të rrejshëm.

Mirëpo, përveç Kosovës, ekspert të sigurisë kishin bërë të ditur se kërcënime të ngjashme ka pasur edhe në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë.

Këto kërcënime, u paraqiten fillimisht në stacionin e autobusëve në Prishtinë, në shkollën e mesme “Xhevdet Doda”.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës më 19 maj është diskutuar për situatën e sigurisë në Kuvend, në të cilën ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se Strategjia për Sigurinë Kombëtare do të sillet shumë shpejtë në Kuvend.

Në anën tjetër, opozita ka kërkuar që Qeveria të i caktoj disa prioritete njëri prej tyre është që të miratohen dokumentet strategjike të sigurisë nacionale dhe mbrojtjes.

Kërcënimet me bomba – Kosova s’ka fare sistem për mbrojtje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore