Lajme

“Keqpërdorime me fonde” – Avokati i Popullit nis një hetim kundër Zyrës për Komunitete


Avokati i Popullit

Avokati i Popullit, bazuar në ankesën e tetë organizatave jo-qeveritare nga komuniteti serb, ka nisur një hetim për shkelje të mundshme të drejtave të njeriut nga Zyra për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Në lidhje me fillimin e hetimeve, Avokati i Popullit, të martën ka njoftuar njërin nga organizatat jo-qeveritare parashtruese të ankesës për fillimin e hetimeve.

“Në bazë të nenit 21.1, Avokati i Popullit shqyrtoi ankesën tuaj, të dorëzuar më 08.08.2023, në lidhje me pretendimet për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ose abuzimin nga autoritetet publike dhe në përputhje me nenin 21.1.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, vendosi të pranojë ankesën tuaj dhe të fillojë hetimin për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Tetë organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb kanë parashtruar ankesë lidhur me vendimin për ndarjen e mjeteve për organizatat joqeveritare dhe media nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.

Ndryshe Albanian Post fillimisht kishte raportuar për dorëheqjen nga puna në Zyrën për Çështje të Komuniteteve, Elizabeth Gowing, si reagim ndaj dhënies së gjysmë milioni eurove në forma të parregullta në konkursin e fundit të Zyrës për Çështje të Komuniteteve.

Më 31 maj, Zyra për Çështje të Komuniteteve shpalli një thirrje publike për mbështetje financiare prej gjithsej 500 mijë eurove për OJQ-të dhe mediat nga komunitetet joshumicë.

Ideja ishte që të ofrohet “mbështetje financiare për projektet/programet e OJQ-ve për të ngritur nivelin e punësimit të anëtarët e komuniteteve joshumicë, media që kontribuojnë në mbrojtjen dhe përmirësimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve joshumicë, si dhe OJQ-të që kontribuojnë në aktivitetet kulturore që promovojnë kulturën, traditën, gjuhën, trashëgiminë kulturore dhe identitetin e anëtarëve të komunitetit, duke përfshirë shënimin ditë të veçanta të komuniteteve që jetojnë në Kosovë”.

Të hënën, më 10 korrik, ueb faqja e kryeministrit të Kosovës publikoi listën preliminare të atyre që janë mbështetur nga fondet në atë kurs, por 90 për qind e përfituesve nuk ishin nga komunitetet joshumicë.

Gowing, ishte e zhgënjyer nga fakti se një numër i vogël i OJQ-ve dhe mediave të përzgjedhura për mbështetje financiare përfaqësojnë në fakt organizata të bazuara në disa nga komunitetet jo-shumicë.

Përkundër kundërshtimit të saj, Komisioni i Apelit nuk e anuloi konkursin, kështu që Growing tha se ajo “nuk mund të punojë më me Zyrën për Çështje të Komuniteteve”, sepse vendimi për të shpërblyer gjysmë milioni euro për përfituesit e përmendur “nuk është diçka që ajo mund të mbrojë para komuniteteve”.

Elizabeth Gowing, këshilltarja britanike e Kurtit, jep dorëheqje nga zyra për komunitetet – pakënaqësi me shpërndarjen e fondeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore