Shqipëria

Kemi katër të arratisur në Dubai, thotë Kraja për “El Pais”


Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar në Shqipëri, Arben Kraja, deklaroi se në Dubai gjenden katër të arratisur nga drejtësia shqiptare.

“Kemi katër të arratisur atje, por nuk mund t’i ekstradojmë sepse ato ligje nuk ekzistojnë dhe nuk u përgjigjen kërkesave tona”, theksoi fillimisht Kraja.

Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja spanjolle “El Pais”, duke cituar intervistën me shefin e SPAK-ut, shkruan Albanian Post.

I pyetur mbi mafien shqiptare, ai u shpreh se janë “grupe më tepër të organizuara që janë të strukturuara në mënyrë perfekte dhe shumë të rrezikshme”.

“Ata janë aktivë në Shqipëri dhe vijnë në Amerikën e Jugut, sepse po hyjnë në trafikun e kokainës dhe duan të kenë kontroll nga pika e prodhimit”, shtoi Kraja.

Sipas tij, metodat e tyre janë shumë agresive dhe janë grupe të vogla: familjarë dhe miq.

Kjo është arsyeja pse, nënvizoi kreu i SPAK-ut, prioritet mbetet puna në koordinim me vendet e tjera, gjithashtu edhe me Spanjën, ku prokuroria shqiptare ka një hetim të hapur.

Sa i takon Italisë, Kraja sqaroi se trafikantët e zgjedhin sepse mund të hyjnë dhe dalin lirisht nëse llogarim distancën 70 kilometra nga deti, përcjell Albanian Post.

“Kështu ka funksionuar. Por edhe ka gjithashtu edhe grupe në Gjermani, Belgjikë dhe Holandë. Dhe mbi të gjitha në Dubai”, vërejti prokurori shqiptar.

Dubai, për Krajën, është kthyer në një parajsë kriminale të të arratisurve, por jo një parajsë fiskale.

“Ka shumë që ikin në vende të ndryshme, por askush nuk përgjigjet kur ne kërkojmë ekstradimin e tyre”, tha më tej shefi i SPAK-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore