Shqipëria

Këmbimi Valutor në Shqipëri, “vend” i pastrimit të parave


Për vitin 2021, Banka e Shqipërisë ka revokuar 12 licenca të Zyrave të Këmbimit Valutor.

Kjo, erdhi mbështetur në të dhënat e Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes, ku Zyrat e Këmbimit Valutor patën një fokus të veçantë të kontrollit dhe inspektimeve, të lidhura sidomos me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.

Sipas raporteve të MONEYVAL, Zyrat e Këmbimit Valutor janë evidentuar si hallka më e dobët brenda tregut financiar, në drejtim të rrezikut të pastrimit të parave.

Për këtë arsye, vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë dhe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP) zhvilluan inspektime në 90 Zyra të Këmbimit Valutor në të gjithë territorin.

Për problematikat e evidentuara u ndëshkuan me revokim licence 12 Zyra Këmbimi, ndërsa ju tërhoq vëmendja 16 Zyrave dhe u gjobitën 26 të tilla.

Llojet e problematikave të identifikuara në Zyrat e Këmbimit Valutor janë konsistuar kryesisht në mungesën e një rregulloreje të brendshme në funksion të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, kur aktiviteti ushtrohet nga jo më pak se tre persona.

Në bazë të raportit, Zyrat e penalizuara nuk respektonin procedurat identifikuese të klientëve, si dhe kishte mangësi në ruajtjen e dokumentacionit mbështetës të veprimeve valutore.

Gjithashtu ata u penalizuan për: mosrespektimin e kërkesave, marrjen e masave parandaluese, krijimin e një sistemi të centralizuar përgjegjës për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave, si dhe të elementeve për identifikimin e anomalive.

Gjatë vitit 2021, janë kryer inspektime të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit edhe në pesë banka dhe 13 subjekte financiare jobanka.

Fokusi mbikëqyrës, edhe këtë vit, është vënë kryesisht në fusha të tilla, si: politikat dhe procedurat, strukturat dhe sistemet e centralizuara, identifikimi i pronarit përfitues dhe strukturës së pronësisë së kontrollit të klientit, cilësia e Raporteve të Aktivitetit të Dyshimtë (RAD) dhe analiza e transaksioneve komplekse e të pazakonta që janë kryer apo tentohen të kryhen.

Po ashtu, në fokus, është edhe kategorizimi i klientëve dhe transaksioneve, sipas shkallës së rrezikut, zbatimi i detyrimeve ligjore, sistemet e kontrollit të brendshëm, administrimi efektiv i rreziqeve që vijnë nga pastrimi i parave apo financimi i terrorizmit.

Llojet e problematikave të identifikuara në banka kanë të bëjnë me çështje që lidhen me kuadrin rregullator të brendshëm dhe nevojën për përmirësim të tij.

Tjetër problematikë e hasur, është kur lidhja e dërguesit dhe e përfituesit të fondeve është e paqartë.

Kjo kuptohet nga mungesa e burimit të të ardhurave, burimi i fondeve të mbetura në nivel deklaratash, dokumentacioni (faturat) që klienti depoziton në bankë paraqesin elemente dyshimi (janë pa firmë dhe pa vulë), mungesë dokumentacioni shoqërues për një transfertë tregtare, apo përdorimi i llogarisë personale për qëllime biznesi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore